Petro Koçi: Ja si krimi po përdor këto tre mënyra për të përfituar nga tenderat publikë

Deputeti i zgjedhur i Partisë Socialiste, njëkohësisht dhe kreu i kësaj partie në Fier, Petro Koçi, denoncoi në Euronews Albania se bota e krimit po përfiton tenderë publikë në këtë qark.

Lidhja e protagonistëve të botës së krimit me zyrtarë të caktuar, financimi apo lidhja e  subjekteve me bandat kriminale dhe kërcënimi i subjekteve konkurrente, janë sipas Koçit, 3 mënyrat sesi krimi ka shtrirë duart në financat publike.

Ai theksoi se nëpërmjet industrisë së ndërtimit po pastrohet paraja e përfituar nga droga.

“Reagimi im lidhet natyrisht me nivelin lokal, me qarkun e Fierit. Siç dihet Fieri ka një botë krimi që është konsoliduar ndër vite. Është sofistikuar protagonizimi i kësaj bote apo i strukturës kriminale. Dikur ata kishin një aleancë të drejtpërdrejt me politikën, duke qenë në komisione zgjedhore, sidomos në vitet  “90 me PD-në. Më vonë janë profilizuar më pak të anshëm politikisht, por kanë kaluar në një tjetër anë, duke legalizuar biznese që sjellin fitime, siç është industria e ndërtimit ku është pastruar paraja e trafikantëve të drogës”, u shpreh z. Koçi.

Deputeti i zgjedhur nuk dha emra konkretë, por theksoi se dihen emrat e “subjekteve të ndryshme që kanë lidhje me protagonistë të botës së krimit që përfitojnë tenderë publikë”.

Deputeti i zgjedhur nënvizoi se “protagonizimi i SPAK-ut ka filluar të ndikojë në opinionin publik duke rritur optimizimin”.

“PS është protagoniste absolute e nxitjes hartimit dhe miratimit të Reformës në Drejtësi. Një reformë që ka filluar të japë efekte”, tha ai.

Më herët, nëpërmjet rrjetit social Facebook, z. Koçi u bëri thirrje organet ligjzbatuese se nuk duhet të lejojnë që qyteti i Fierit t’i nënshtrohet botës së krimit të organizuar.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT