Pse u tërbua Vuçiç? Kurti: E njoha me krimet serbe në Kosovë! Serbia është ngritur si shtet mbi genocidin ndaj shqiptarëve

Albin Kurti shpjegoi përmes një postimi në rrjetet sociale se çfarë i kishte propozuar Aleksandër Vuçiçit në takimin e dytë që patën këtë të hënë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Kryeministri i Kosovës thotë se kishte dorëzuar një paketë me 6 pika në gjuhën angleze, me të cilave zotimi për të mos sulmuar njëri-tjetrin dhe reciprocitet të të drejtave. Po ashtu, Kurti thotë se ka dorëzuar edhe dëshmi nga 11 shkelje që Serbia u bën marrëveshjeve të arritura deri më tani me Kosovën.
Kurti thotë se i ka ofruar Vuçiçit rrëfime të grave të përdhunuara gjatë luftës së Kosovës, listën me mbi 1100 fëmijë të vrarë, ku 109 janë ende të pagjetur dhe një libër që tregon dëbimin e shqiptarëve nga Sanxhaku.
“Serbia si shtet ka ardhur në mesin e popullsisë shqiptare me gjenocid dhe ka ikur me gjenocid. Mosnjohja e së kaluarës së saj kriminale dhe mosnjohja e pavarësisë së Kosovës janë të lidhura ngusht”, thotë Kurti.
Postimi i Albin Kurtit:
Në takimin e dytë me delegacionin e Serbisë në Bruksel, sot ofruam një Deklaratë të Paqes me gjashtë nene, të balancuar dhe në gjuhën angleze, e cila flet për zotimin për mossulmim të njëri-tjetrit dhe për reciprocitet të të drejtave. Po ashtu, ofruam edhe dëshmi të 11 shkeljeve që i bën Serbia ndaj Kosovës përmes barrierave kundër tregtisë së lirë e që do të duhej të eliminoheshin. U refuzuan të dyja këto.
Për dallim nga ndërmjetësi Josep Borrell, kryetari i Serbisë nuk i mori tre librat që ia dhashë: rrëfime të grave të përdhunuara në Kosovë gjatë luftës, listën e 1.133 fëmijëve të vrarë prej të cilëve 109 janë ende të pagjetur, dhe librin “Muhaxhirët – Dosja Britanike” për dëbimin e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit.
Është për të ardhur keq që nuk arritëm të dalim së paku me një deklaratë të përbashkët nga ky takim. Shkaku ishte që delegacioni serb nuk pranoi futjen në tekst të togfjalëshit “ballafaqimi me të kaluarën”.
Serbia si shtet ka ardhur në mesin e popullsisë shqiptare me gjenocid dhe ka ikur me gjenocid. Mosnjohja e së kaluarës së saj kriminale dhe mosnjohja e pavarësisë së Kosovës janë të lidhura ngusht.
Ne vazhdojmë të jemi të përkushtuar për paqe dhe drejtësi, për siguri dhe stabilitet, për demokraci dhe progres. Do të jemi të gatshëm për takime e biseda konstruktive, dhe për dallim nga fqinji ynë verior nuk kemi dilema sa i përket integrimeve evropiane dhe euro-atlantike.