Sekuestrohen 3 milionë euro pasuri/ Prokurori jep detaje për megaoperacionin: U shkatërruan 4 grupe kriminale

Prokurori Vladimir Mara ka dhënë detaje mbi pasuritë marramendëse të sekuestruara gjatë operacionit të përbashkët Shqipëri-Itali, që u finalizua me arrestimin e 28 personave.

Gjatë konferencës së përbashkët mes SPAK dhe autoriteteve italiane, Mara tha se pasuritë e sekuestruara janë kryesisht ne Vlorë, Kavajë dhe Tiranë.

Bëhet fjalë për 11 pasuri të paluajtshme, restorante, hotele, truall dhe pallate. Prokurori u shpreh se vlera e pasurive të sekuestruara shkon në 3 milionë euro.

“Pasuritë e sekuestruara janë kryesisht në qytetin e Vlorës, në Tiranë, Kavajë dhe në vende të tjera. Janë pasuri të paluajtshme, 11 gjithsej. Bëhet fjalë për restorante, hotele, troje, pallate. Katër shoqëri tregtare të sekuestruara dhe disa pasuri të tjera që shkojnë në 3 milionë euro.Është dokumentuar që 4 grupe kriminale vepronin me grupe bareze dhe me grupet e tjera në Itali”, tha Mara.

Prokurori u shpreh se kanë qenë 4 bashkëpunëtorë të drejtësisë që kanë dhënë detaje për grupet kriminale.

“Kanë qënë 4 bashkëpunëtore të drejtësisë që na ndihmuan duke na dhënë të dhëna të rëndësishme. Të 4 bashkëpunëtorët nuk kanë qënë thjeshtë pjestarë të grupeve, po kanë pasur një rol të rëndësishëm në këto grupe kriminale. “

Prokurori u shpreh se janë nxjerrë masa sigurimi për 80 persona, ndërsa janë sekuestruar mbi 6 tonë lëndë narkotike.

“Gjatë hetimit, janë evidentuar episode të shumta të trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Italisë dhe vendeve të tjera të Europës. Janë të llojit: heroinë, kokainë, marijuanë. Gjatë procedimit penal janë sekuestruar mbi 6 tonë lëndë narkotike në Itali dhe Shqipëri, dhe janë nxjerrë masë sigurimi për 80 persona. Në ditën e sotme kemi përmbyllur ekzekutimin e 28 masave të sigurisë”, tha prokurori./Gazeta SHQIP

Back to top button
LAJMET E FUNDIT