“Të fortin e bën makina” Frrok Çupi: E përfytyroni Berishën duke kërkuar punë në një plazh të vendit? Vetëm atëherë do të ishim në liri!

Nga Frrok Çupi
… Të fortin nuk e bën nëna, por e bën makina- mund të ishte ky një variant i gjetjes se si formohen ata që kanë marrë përcaktimin ‘të fortët’. Por nuk besoj se duhet ngatërruar ‘nëna’ në këtë mes. Shumëkush i mbledh këto ngjarje në zarfin me nënë e fëmijë, me lot e mallkime… Nuk është e dobishme
Kjo prapë, sapo jemi vënë në udhë, do të na e humbte fillin për të gjetur se si lindin e rriten të fortët. Si u rrit i forti që ngiste makinën me 200 km në orë dhe vrau një familje të tërë?…, si u zmadhuan vëllezërit pronarë në Velipojë derisa vranë njëri tjetrin dhe një punëtor 20 vjeç?!. Keni parë që të shfaqet nëna e ndonjë të forti pasi ky ka kryer tmerrin? Jo, nëna e ka kryer punën me aq sa bëri; makina- kjo e bën të fortin. Nuk është fjala thjesht vetëm për një veturë ‘Audi’, luks e tëra, që u kap në vdekjen drejt Vlorës. Të gjithë të fortët kanë prapa makinë; makinë është arma, makinë është paraja, makinë është fisi, makinë është shteti dhe posti, makinë është korrupsioni, makinë është edhe ideja e të gjithë- pushtetshmit.
Nga nëna te makina është rruga e shtruar e një karriere të tërë. Karriera e të fortit nuk matet përmes shkallëve nga poshtë- lart.
Nëse i sillni ndërmend sa tmerre kanë kryer të fortët në vendin tonë tre dekadat e fundit- kjo dëshmon se tërë fryma ‘e të keqes’ vjen nga lart:
A vijnë katër vetë për të ‘folur ndër veti’, ulen dhe në vend të duhanit- venë armët mbi tavolinë?! Kush i solli armët?… Ishte një ditë e keqe e marsit të vitit 1997 kur dikush nga shumë lart dha urdhër ‘të hapen depot e armëve!’ të shtetit. Armët erdhën nga lart; mund të shkojnë edhe më poshtë- në shkollë, edhe në spitale, edhe në dasma…, ku ta dish. Në vitin e luftës ’97, prej tyre u vranë 3000 vetë, sot 4; edhe shifra nga lart- poshtë.
Po të mos kishte shtetin, as ai ‘i forti’ në majë të piramidës nuk do të ishte i zoti që të hapte depot. Edhe ai, pa makinën, do të ishte si njëri prej nesh; ndoshta sot do të ishte një burrë në lezet që do të kërkonte punë te shezlongjet në plazh. A e përfytyroni doktor Berishën duke kërkuar punë në një plazh të vendit? Vetëm atëherë do të ishim në liri e demokraci, vetëm atëherë do të ishim të qetë.