2 vrasja, 3 të mbytur, tre aksidente 4 viktima! Kronikat e zeza të një fundjave gushti në Shqipëri (Shifra alarmante)

Dje rreth orës 22.00 të mbrëmjes, në qendër të qytetit të Lushnjës, në një kafene plot me njerëz mes të cilëve plot gra e fëmijë, nga një makinë në lëvizje qëllohet me breshëri të zgjatura kallashnikovi. Mbetet i vrarë pronari i kafenesë Bledar Muça dhe plagosën 4 klientë të lokalit. Atentati ishte terrorizues për të gjithë. Ora, vendi dhe mënyra e zgjedhur për të vrarë ishte terroriste…

Gazeta Shqip ka bërë një përmbledhje të vrasjeve, aksidenteve dhe mbytjeve në plazhe vetëm këtë fundjavë kemi patur 9 jetë të humbura:

Këtë të shtunë, në mëngjes, një 25 vjeçar u gjet i vrarë nga kalimtarët e rastit në Babicë të Vlorës. Xhuljano Bullari,  me origjinë nga Elbasani dhe me banim në Tiranë ishte brenda makinës së kushërirës së vet kur u zbulua në orët e para të mëngjesit.

Autorët kishin lëshuar tre plumba, njëri prej të cilëve në kokën e viktimës. Viktima ishte me precedent penalë, kishte bërë dy vjet burg për futjen e paligjshme të emigrantëve sirianë në territorin shqiptar. Vrasja sipas ekspertëve ishte kryer një natë më parë (rreth orës 21.00 të një dite më parë) dhe deri tani është pa autor. Dyshohet se është nxjerrë në pritë nga njerëz të njohur të vet.

Babai i viktimës e mori vesh emrin e të vrarit në transmetim live në Televizion dhe u lëshua në të qara e të bërtitura.

Dy pushues të moshuar nga Maqedonia e Veriut, në plazhin e Spillesë – Kavajë, mbyten në det. Shkak ishin dallgët e shumta por edhe mungesa e rojës bregdetare. Ngjarja ndodhi midis orës 11.00 dhe 12.00.

Në të njëjtën kohë por 200 km më larg, në Velipojë të Shkodrës mbytet në det Hasan Hysenaj nga Kosova. Mosha 59 vjeç. Shkak përsëri dallgët e shumta dhe mungesa e rojes bregdetare.

Tri orë më vonë, rreth orës 14.00, në rrugën e Marinzës –Fier, një makinë del nga rruga dhe bie në kanal. Makina u gjet me GPS pasi askush nuk e kishte parë momentin e aksidentit. Viktimat e këtij aksidenti ishin Shkëlqim Begaj 54 vjeç  dhe Elior Lagaj 36 vjeç, punonjës të një komanie sigurie.

Një makinë tip Benz humb kontrollin në qytetin e Beratit dhe përfundon në brendësi të një dyqani. Katër kalimtarë të rastit që po ecnin në trotuar dëmtohen rëndë, njëri prej tyre humb jetën. Viktima quhet Leonard Rrapi dhe ishte 30 vjeç.

Ditën e sotme një aksident tragjik me një viktimë ka ndodhur në Velipojë të Shkodrës. Sipas të dhënave paraprake si pasojë e këtij aksidenti ka mbetur viktimë një 16-vjeçar. 16-vjeçari ka humbur jetën pasi u përplas nga një automjet teksa ai vetë po drejtonte një mjet bujqësor./Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT