Afganët dhe ‘deti’ me Greqinë/ Flet kapiteni i rangut të parë Artur Meçollari

Kapiteni i rangut të parë, ish këshilltari më i lartë për personelin i Nato-s në Afganistan, Artur Meçollari ka shërbyer për një vit në Kabul. Sipas tij ata që do të strehohen në Shqipëri nuk përbëjnë ndonjë rrezik për vendin tonë sepse janë të edukuar dhe bashkëpunëtorë të Amerikës. Në një intervistë për Top News, me gazetaren Rovena Cerka, Meçollari u shpreh se vendimi i Shqipërisë për t’i strehuar ata është i drejtë. Ai zbuloi se ata quheshin përkthyes por në realitet kanë qenë informatorë të amerikanëve dhe kishin liri lëvizjeje në ambientet më strikte.
Janë njerëz të sigurtë, ndihmësit më të mëdhenj për një vend si Afganistani. Ata jetonin në qytet, janë njerëz që kanë ndihmuar NATON. Shumë njerëz kanë shpëtuar, është identifikuar kërcënimi falë tyre.
Ndër të tjera Meçollari u shpreh se Talebanët nuk mund të shtrijnë kërcënimin e tyre në vende kaq të largëta për ta për shkak të kapaciteteve të limituara.
Nga pikëpamja e kërcënimit, që Talebanët të ndikojnë në një vend si Shqipëria, mundësia është e ulët për shkak të kapaciteteve dhe qëllimit që ata kanë. Afganistani ka pasur kapacitete por këto janë të kufizuara dhe të limituara brenda vendit të tyre. Ata do të qëndrojnë përkohësisht, deri në plotësimin e dokumenteve. Është detyrim nga pikëpamja e të Drejtës ndërkombëtare për t’i ndihmuar.
Sa i takon mbulimit të shpenzimeve të të strehuarve afganë në vendin tonë, Artur Meçollari u shpreh se ka dëgjuar se do të ketë fonde nga Bashkimi Europian por edhe nëse nuk do të ketë, kjo nuk duhet të përbëjë shqetësim.
Ndër të tjera Meçollari theksoi se Talebanët nuk do e kenë të lehtë të drejton Afganistanin pasi qytetarët janë të emancipuar dhe do të kërkojnë të drejtat e tyre, por edhe për qytetarët afganë nuk do të jetë e lehtë.
Largimi i trupave ndërkombëtare ka vite që përflitet, por edhe populli amerikan nuk e mbështet më këtë qëndrim të tyre. Është kohë që qeveria e vendit të marrë në dorë drejtimin e vendit, por me sa duket nuk ka qenë e mundur. Korrupsioni e ka gjunjëzuar Afganistanin, jo Talebanët.
Artur Meçollari, i cili ka qenë edhe pjesë e trupës së negociatorëve për të arritur një marrëveshje mes Shqipërisë e Greqisë për delimitimin e detit.
Shpallja e 12 miljeve të Greqisë nuk cenon një marrëveshje të ardhshme të Greqisë me Shqipërinë. Zgjerimi i detit territorial nuk realizohet në atë zonë ku bëhet delimitimi por në drejtim të detit ndërkombëtar. Shellfi kontinental të cilin Greqia e ka ndarë me Italinë, tashmë po e kthen në 6 milje, nga shellf kontinental në det territorial. Pra nuk ka lidhje me çështjen e delimitimit të hapësirave detare.
I pyetur se nëse marrëveshja e sotme mes dy qeverive është e ngjashme apo shumë e ndryshme me atë që nënshkroi Lulzim Basha me Dora Bakojanis, Meçollari u shpreh se janë shumë të ndryshme.
Në hagë do të shkojnë vetëm ato çështje për të cilat ne nuk biem dakord. Qeveria vendosi në nivel politik të shkojë në Hagë. Prandaj quhet ‘Marrëveshja e mosmarrëveshjeve’.
Ju e kundërshtuat marrëveshjen e zotit Basha, ku ndryshon? Çfarë jua mbushi mendjen? E pyeti gazetarja Artur Meçollarin, ndërsa ai u përgjigj se kanë ndryshuar parimet.
Bëhet fjalë për një vijë delimituese të ndryshme nga ajo e vitit 2018. Parimet zgjidhen të tilla për të arritur përfitimin maksimal. Edhe nga pikëpamja ligjore nuk ka asgjë të keqe që të shkojë në gjykatat ndërkombëtare. Në Hagë do shkohet me një dokument ku firmosin të dy shtetet.