Balla e Spiropali “përjashtohen” nga gara për kryetar Kuvendi/ Rama i konfirmon në detyrat që janë

Kryeministri Edi Rama konfirmoi në detyrat që mbajnë aktualisht vetëm dy emra nga socialistët.
Elisa Spiropali u vlerësua për rolin e saj në përfaqësimin e qeverisë në debatet parlamentare, sipas tij, ndërsa Taulant Balla në rolin e kreut të grupit parlamentar.
“Sot është dita për të falenderuar të gjithë deputetet dhe deputetët, anëtarët e kryesisë së Grupit Parlamentar, drejtuesin Taulant Balla dhe ministren për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropalin. Taulanti ka drejtuar grupin me këmbëngulje të spikatur dhe Elisa ka qenë e përkushtuar duke përfaqësuar qeverinë me aftësi në debate parlamentare. Të dy kanë konfirmimin e tyre në detyrë në mandatin e tretë për ta çuar në një nivel tjetër performancën e PS-së në qeverisje”, u shpreh ai.
Spiropali e Balla janë përfolur së fundmi për postin e kreut të Kuvendit, të lënë bosh nga largimi i Gramoz Ruçit. Konfirmimi në detyrat përkatëse nga ana e Edi Ramës i përjashton automatikisht nga kjo ambicie.
Mimi Kodheli kryetare Kuvendi?
Lënia e mandatit të deputetes nga Najada Çomo, habiti jo pak opinionin publik vetem pak ditë nga formimi i Kabinetit Rama 3.
Largimi i zonjës Çomo sipas renditjes së listës i jep mandatin ish-deputetes Mimi Kodheli, një politikane me shumë eksperiencë dhe një nga investimet e hershme politike të kryeministrit Rama.
Burime nga Partia Socialiste theksojnë për GAZETA SHQIP se zonja Kodheli është kandidatja më potenciale për të zënë postin e Kryetares së Kuvendit që pritet të konsituoet në shtator.
Këtë post të rendësishëm në hierarkinë e shtetit e synon dhe deputeti tjetër socialist Taulant Balla. Por futja e Kodhelit në sallën e kuvendit, me sa duket i hap rrugën asaj për të drejtuar seancat dhe përfaqesuar vendin në diplomacinë parlamentare.
Me sa duket kjo është arsyeja kryesore e lënies së mandatit nga zonja Çomo. Zonja Kodheli ka një ekperiencë të gjatë jo vetëm në administratë ku e ka filluar si prefekte e Tiranës nën qeverisjen e Fatos Nanos, por ka qenë edhe kryetare e komisionit parlamentar të jashtëm dhe ish-ministre e Mbrotjes. Pikësht kjo eksperiencë dhe ekspertizë sipas burimeve nga socialistët i japin asaj avantazhin në krahasim me rivalët e tjerë në PS.