Del përfundimisht nga sistemi i drejtësisë Besim Hajdarmataj, prokurori që përgjoi socialistët në Dibër dhe ia dorëzoi përgjimet Bashës! KPA: Shkeli rëndë besimin e publikut te drejtësia

Dalja përfundimtare nga sistemi i drejtësisë. Ky është fundi i karrierës së prokurorit të Tiranës, Besim Hajdarmataj.
KPA vendosi sot pranimin e kërkesës së ndërkombëtarëve dhe Komisionerit Publik duke zhbërë kështu vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Pasivitet në hetimin e çështjeve sensitive si ato të drogës, sjellje gjyqësore jo të dënje, pasuri jo të justifikuar, mangësi profesionale, cenim i besimit te publikut te sistemi i drejtësisë. Këto ishin disa nga argumentimet nga trupi gjykues.
Në seancen e zhvilluar më 16 korrik në Kolegjin e Posaçëm e Apelimit, kur u shpalosën konkluzionet Hajdarmataj u akuzua se ka cenuar rëndë besimin e publikut të sistemi i drejtësisë. Sa i përket pasurinë prokurori Hajdarmataj u akuzua se ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm për kriterin e pasurisë dhe nuk e justifikon atë.
Ndërkohë që për integritetin dhe formimin profesional Komisioneri Publik theksoi se në pesë çështje të verifikuara, ku në disa raste Hajdarmataj ka qenë në rolin e prokurorit dhe në raste të tjera është vlerësuar në cilësinë e drejtuesit, paraqitën mangësi profesionale. Të gjithë këto shkelje sipas tij bëjnë që të jetë i pamundur konfirmimi në detyrë të Hajdarmatajt. Konstatimet e Komisionerit u mbështetën edhe nga vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jacobs gjatë seancës së 8 korrikut, i cili e konsideroi të turpshme moskryerjen e hetimeve për tonelata drogë nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda, kur drejtohej nga Besim Hajdarmataj.
Besim Hajdarmataj ka kaluar me sukses në shkallën e parë të vettingut, pa asnjë kontestim, në të treja shtyllat e hetimit, pasuri, aftësi profesionalen dhe pastërti figure. Mirëpo, pavarësisht rezultateve në KPK, ishte Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, i cili i rekomandoi Institucionit të Komisionerit Publik, ankimin. Brenda afatit ligjor IKP ankimoi vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, duke konkluduar se konfirmimi i Hajramatajt është i cenueshëm dhe përmban shkaqe të mjaftueshme për kontroll edhe në apel.
Besim Hajdarmataj u konfirmua në detyrë më 16 tetor nga trupa e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Suela Zhegu dhe anëtar Roland Ilia dhe u referua për procedim disiplinor për një hetim të mbyllur të vitit 2010. Me rekomandim të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM, vendimi u ankimua në Kolegj. Besim Hajdarmataj e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe përgjatë 20 viteve, ai ka mbajtur poste drejtuese në Prokurorinë e Tropojës dhe të Kurbinit.