Fatos Çoçoli: Investime nga SHBA në Shqipëria, në këmbim të strehimit të afganëve

Eksperti i ekonomisë, Fatos Çoçoli, duke folur për ardhjen e afganëve thotë se Shqipëria ka detyrime ndaj NATO-s dhe SHBA por thekson se do të duhej që edhe vendi ynë të përfitonte diçka.
“Na duhet të mbajmë disa përgjegjësi dhe detyrime përsipër. Qeveria jonë kishte mundësi të bënte, pavarësisht se mund të tingëllojë cinike, një lloj…”dakord unë po i mirëpres këto refugjatë afganë, është diçka njerëzore por nga Aleanca dhe sidomos nga partneri jonë strategjik SHBA çfarë përfitimesh do të kem?”
Edhe pse tingëllon cinike kështu është negociuar në krizën e armëve kimike në Siri, qeveria jonë ra dakord pastaj ishte një reagim mbarëpopullor që u tërhoq. Por në momentin e rënies dakord, ishte aleati ynë strategjik SHBA, që ofruan përfitimet që do të kishim dhe në nivel të investimeve, flitej për dhjetëra milionë dollarë në atë kohë për ekonominë tonë. Tek e fundit mikpritja e disa refugjatëve, pavarësisht sesa mund të jetë numri, qeveria me kreun e saj thotë se janë disa qindra dhe vetëm në nivel tranziti, do të qëndrojnë pak kohë te ne dhe pastaj do të largohen por këtë nuk e dimë tamam si do të jetë, nuk e dimë numrin e saktë nëse do të jenë disa qindra apo disa mijëra dhe kjo është një kosto për ekonominë dhe shoqërinë tonë.
Jemi dakord ta paguajmë por një lloj reciprociteti duhet të jetë si në rastin e krizës së armëve kimike. Mirë do të ishte të diskutohej dhe negociohej pavarësisht se tingëllon cinike. Por jemi një vend që kemi problematikat tona ekonomike, me nevojë të fortë për t’u ndihmuar. SHBA për shkak të këtij partneriteti që e kemi treguar gjithnjë se jemi ta gatshëm ta realizojmë, u detyrohemi shumë amerikanëve, mirë do të ishte që edhe nëse ata nuk e kanë menduar qeveria jonë t’ua bëjë me dije. Deri tani nuk ka asnjë tregues që diçka e tillë ka ndodhur apo do të ndodhë në të ardhmen”, tha ai për Ora News.