Flakët po “gllabërojnë” Karaburunin dhe Kurbinin! Ministria e Peleshit me një helikopter me “kova”, të tjerët në remont (Video)

Flakët e zjarrit në vend janë aktive në 5 vatra deri më tani, ku më kritiket janë ato në Karaburun dhe në Kurbin.

Flakët e zjarreve po përpijnë dhjetra hektarë tokë, pyje dhe kullota. Karaburuni prej disa ditësh është  nën pushtetin e flakëve. Mungesa e mjeteve dhe kapaciteteve nga ana e ministrisë së mbrojtjes dhe vonesat e ndërhyrjes në kohë kanë bërë që flakët të përpijnë disa hektarë tokë.

Edhe në Kurbin situata është jashtë kontrollit, vetë kryebashkiakja Majlinda Cara ka bërë me dije se nga zjarri, i cili u aktivizua pasditen e djeshme, ka pasur dëme të mëdha. Por paralajmëroi hetime, pasi dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme. Cara shton edhe më tej se pas orë të tëra përpjekjesh janë neutralizuar vatrat e zjarrit në zonën e Mamurrasit duke lënë pas dëme të mëdha.

Nga bilanci i bërë në Kurbin mësohet se janë djegur rreth 30 hektarë me pisha, shkurre dhe pemë frutore dhe janë shoqëruar në komisariat 3 persona të dyshuar për zjarrëvënie të qëllimshme për të pastruar kullotat. 3 personat u shoqëruan në komisariat ku dhanë deklaratën e tyre dhe më pas u lanë të lirë .

Zjarri rrezikoi edhe banesat pranë duke bërë që qytetarët të dilnin vetë me mjete të ndryshme për të shmangur zjarrin duke qenë se dhe zjarrëfikësja nuk po funksiononte dhe sipas raportimeve vatrat e zjarrit vijojnë të jenë aktive.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi në një postim në rrjetet sociale, shkruante ditën e djeshme se ka pasur raportime në Qëndrën e Emergjencave Civile për dhjetra vatra zjarri.

Postimi i plotë i Niko Peleshi:

“Aktualisht strukturat e mbrojtjes civile janë duke u përballur me flakët në 5 vatra zjarri, ku më kritiket ngelen ato të Karaburunit dhe Kurbinit.

Ndërkohë gjatë ditës së sotme në Qëndrën e Emergjencave Civile janë lajmëruar me dhjetra vatra.

Koordinimi dhe ndërhyrja e menjëhershme e strukturave të emergjencave civile në nivel vendor dhe qendror ka bërë të mundur neutralizimin e tyre pa cënuar pasuritë natyrore apo zona të banuara.

Bashkëpunimi me komunitetin për parandalimin apo lajmërimin e hershëm të situatave të zjarreve është jetik për të limituar pasojat e temperaturave të larta të këyre ditëve.”, ka shkruar Peleshi.

Mungesa e mjeteve dhe politikat e ndjekura nga ministri Peleshi, duket se nuk kanë rezultuar të suksesshme pasi ende disa vatra zjarri janë aktive dhe kanë krijuar dëm të mëdha mjedisor. IGJEUM edhe për ditën e sotme parashikon rrezik të lartë për zjarre në 10 qarqe të vendit dhe më pak të rrezikuarit renditi Durrësin dhe Dibrën.

Por duket se ministria e Peleshit nuk e hap fare IGJEUM, ndoshta kanë marrë pushimet e gushtit dhe kanë vajtur në plazh. Duket qartë edhe mungesa e helikopterëve nga ana e ministrisë së Peleshit, pasi vetëm me një helikopter i cili lëviz me “kova” uji po tenton të shuajë flakët që po gllabërojnë Karaburunin. Ndërsa helikopterët e tjerë ndodhen në remont/Gazeta Shqip

Pamjet e siguruara nga gazeta Shqip për zjarret:

Back to top button
LAJMET E FUNDIT