Haradinaj ‘hedh pas krahëve’ ndasitë politike, shkon në shtëpinë e prindërve të Thaçit: Besoj në pafajësinë e tij

Edhe pse politika i ka ndarë dhe çuar shpesh deri në akuza, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka lënë pas ndasitë politike dhe ka shkuar për vizitë në familjen e Haxhi dhe Hyre Thaçit, prindërit e ish-Presidentit Hashim Thaçi.
Haradinaj ka publikuar një foto ku shihet se u ka dhënë prindërve të Thaçit medaljen ‘’Me besim në zot, atdhe e shtet’’ për kontribut të jashtëzakonshëm në çështjen kombëtare.
Politikani kosovar shkruan se beson në luftën e UÇK-së dhe rrjedhimisht edhe të Hashim Thaçit.
“Sot kisha nderin që me bashkëpunëtorë, ta vizitoj familjen e Haxhi dhe Hyre Thaçit, prindërit e Presidentit Hashim Thaçi.
Njëherësh për ta kam ndarë medaljen “ME BESIM NË ZOT, ATDHE E SHTET” për kontribut të jashtëzakonshëm në çështjen kombëtare.
Themeli i lirisë dhe Shtetit të Kosovës është Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, udhëhequr nga Komandanti Legjendar Adem Jashari.
Luftë më të drejtë, më të pastër e më fisnike, për çlirim nga pushtimi i egër millosheviqian, nuk do të njohë asnjëherë njerëzimi.
Përtej dallimeve politike, unë besoj fuqishëm në drejtësinë ndërkombëtare, pastërtinë e luftës sonë dhe pafajësinë e të gjithë bashkëluftëtarëve, në këtë rrafsh edhe të Hashim Thaçit!“, shkruan Ramush Haradinaj.
Postimi i Haradinajt në facebook, ka marrë shumë komente pozitive nga qytetarët./Gazeta SHQIP