Heshtja e çuditshme/ A ka qëndrim Ilir Meta për talebanët dhe ardhjen e afganëve në Shqipëri?

Prej disa ditësh, vëmendja e gjithë botës është përqëndruar në Afganistan, ku pas marrjes nën kontroll nga talebanët, renies së qeverisë dhe largimit të forcave të SHBA, e ardhmja e miliona njerëzve është ende e paqartë.
Situata ka prekur në mënyrë të tërthortë edhe vendin tonë, ku pas marrëveshjes me SHBA, qindra afganë të rrezikuar nga talebanët, pritet të vijnë për t’u strehuar përkohësisht në Tiranë dhe Durrës.
Ky zhvillim kaq intensiv, duket se nuk e ka shqetësuar presidentin Ilir Meta. Si rrallë herë, kreu i shtetit nuk ka bërë asnjë reagim për krizën që ka nisur të prodhojë një eksod refugjatësh. Pavarësisht se një çështje e rëndësishme, humanitare, por edhe politike, Ilir Meta ka “kyçur gojën”, duke mos bërë të qartë qëndrimin e tij, nëse është pro qeverisë së re të talebanëve dhe ardhjes së afganëve në Shqipëri.
Gjithsesi, presidenti i shkarkuar nga parlamenti dhe që është futur disa herë në kurs përplasjeje me SHBA-të, ka qenë aktiv në rrjetet sociale, ku ka shkruar për tema të ndryshme.
Në një vëzhgim të bërë në faqen personale në Facebook të kreut të shtetit, rezulton se ai ka bërë disa postime të njëpasnjëshme, por jo për afganët.
Ai ka reaguar për përvjetorin e ndarjes nga jeta të Arben Xhaferit, për Hasan Prishtinën, për tërmetin katastrofik në Haiti, ndërsa pak orë më parë i uroi ditëlindjen edhe ish-presidentit Rexhep Meidani.
Kryetemën e momentit, ardhjen e afganëve në Shqipëri, kreu i shtetit e ka injoruar plotësisht, edhe pse ka patur një “furtunë” reagimësh nga qytetarët në rrjetet sociale. Nuk dihet nëse kjo është një zgjedhje “taktike” e Metës apo paqartësi në qendrimin e tij.
Afganët “bashkojnë” Ramën me Bashën
Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, pasi kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria i kishte thënë “PO” SHBA-vë për strehimin e qindra afganëve në vendin tonë.
Kryetari i PD Lulzim Basha mbështeti vendimin e Shqipërisë, ndërsa kërkoi që pranimi i afganëve të bëhej në proporcion me kushtet dhe mundësisë që ka vendi, një kërkesë e arsyeshme duke parë kapacitetet që ka vendi ynë.
“Si anëtare e NATO-s, Shqipëria gëzon të drejta dhe detyrime. Nga këto detyrime lindin përgjegjësitë për të qëndruar pranë partnerit tonë strategjik SHBA dhe aleatëve tanë në zgjidhjen e krizës humanitare që po precipiton në Afganistan. Shqipëria duhet të bëjë, ashtu sikurse e kemi bërë më parë, pjesën e saj, në proporcion me kushtet dhe mundësitë tona. Empatia dhe solidariteti kundrejt atyre që kanë luftuar për të krijuar një rend demokratik në Afganistan, nuk mund të mungojë”, shkruante lideri i PD.
Edhe ish-kryeministri Sali Berisha mbështeti vendimin e qeverisë shqiptare për të pranuar qindra afganë për t’i strehuar përkohësisht, në kohën kur Afganistani është në duart e talebanëve.
Pavarësisht se është futur në një kurs përplasjeje me sekretarin Blinken, që pas shpalljes “non grata”, Berisha, përmes një postimi në Facebook, uronte që “kontigjenti i caktuar për Shqipërinë të mund të arrijë shëndoshë e mirë në dheun tonë.”
Sipas raportimeve, mendohet se rreth 2 mijë afganë pritet të strehohen në vendin tonë, pas situatës kaotike të krijuar në Kabul nga talebanët, të cilët arritën të merrnin kontrollin e Agfanistanit. Personat që do vijnë janë nga rradhët e intelektualëve dhe grave aktiviste, që kanë bashkëpunuar me SHBA-NATO.
Në një reagim për mediat të martën, ambasadorja e SHBA, Yuri Kim tha se nuk kishte një shifër të saktë, por nënvizoi se afganët do qëndrojnë përkohësisht në Shqipëri/Gazeta SHQIP