Kazmat e lopatat e Haki Çakos nuk bëjnë punë/ Shpresat për shuarjen e flakëve mbeten tek…shiu

Prej gati dy javësh Shqipëria po përballet me problemin e zjarreve masive, ashtu si dhe disa vende të tjera të rajonit.

Një vatër shuhet, e një tjetër ndizet, dhe vendi nuk po gjen qetësi, me 6 vatra ende aktive, sipas Ministrisë së Mbrojtjes.

Zona më e rrezikuar vijon të mbetet ajo e Jugut, në Gjirin e Karaburunit. Erërat e forta kanë ndihmuar në përhapjen e flakëve duke rrezikuar kështu pyllin me pisha në Parkun e Llogarasë.

Gjirokastra ka qenë një tjetër pikë problematike, ku u shënua dhe viktima e parë nga flakët. Një 64-vjeçar ndërroi jetë në banesën e tij, ndërkohë që bashkëshortja mbeti e plagosur rëndë.

Ndërkohë një zjarr i përmasave të pazakonta u raportua edhe mbrëmjen e djeshme në qytetin e Shkodrës.

Reagimi me vonesë i kreut të Emergjencave Civile, Haki Çako, apo mungesa e mjeteve adekuate për përballimin e flakëve kanë pasur efektin e tyre në mos përballimin si duhet me flakët.

Vetë ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, fshiu një video që e postoi vetë ku zjarri tentohej të fikej me kova uji. Ndërsa Haki Çako u kërkonte punonjësve të përdornin lopata e kosa për të shuar flakët.

Duke qenë se “lufta” të paktën ne zonën e Jugut po bëhet akoma dhe më e vështirë, shpresat për përfundimin e frikës që ka kapluar banorët e Jugut, mbetet shiu.

Sipas Meteoalb, vendi ynë sot do të mbizotërohet nga alternime kthjellimesh dhe vranësirash duke sjellë mot të qëndrueshëm por në zonat veriore do të ketë edhe reshje shiu./ GAZETA SHQIP

Back to top button
LAJMET E FUNDIT