Kryesia e re e PD paralajmëron një drejtim të qetë të Bashës, por…

Nga 38 anëtarët e Kryesisë së re dhe drejtues të strukturave të Partisë Demokratike, emrat që mund ta kundërshtojnë, apo kenë ndasi me lidershipin e Lulzim Bashës nga brenda partisë numërohen me gishtat e njërës dorë.
Kryesia e re është një produkt thuajse ekskluziv i Lulzim Bashës dhe emrat që janë zgjedhur anëtarë të saj dhe që njëkohësisht kanë qenë deputetë, ministra, apo drejtues të strukturave të partisë në kohën e Sali Berishës janë të paktë.
Nëse merren me radhë drejtuesit, Basha ka “blinduar” me njeriun besnik Gazment Bardhi postin e numrit dy të partisë. Që prej emërimit në këtë post pas largimit të Arben Ristanit, Gazment Bardhi nuk i ka dalë kundër në asnjë rast vendimeve të Lulzim Bashës në aksionin opozitar.
Nënkryetarët janë që nga koha e Berishës, si Alfred Rushaj, ish-zëvendësministër i Financave kur ky dikaster drejtohej nga Ridvan Bode. Por, edhe Rushaj ka mbështetur Lulzim Bashën, madje duket se ka fituar besimin e tij edhe për të drejtuar grupin parlamentar në Kuvend.
Profilet politikë të Enkelejd Alibeajt, Jorida Tabakut e Grida Dumës, që janë tre nënkryetarët e tjerë të partisë nuk sugjerojnë kërcënim as këtu për kreun e PD. Në deklaratat publike, të tre këta emra e kanë vlerësuar Sali Berishën për kontributin e dhënë në krye të Partisë Demokratike, por kanë nënkuptuar se ai tashmë është e shkuara e kësaj partie.
Kërcënimi për Bashën mund të mbërrijë nga karriga që deri dje mbante Bujar Nishani. Kreu i ri i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike u zgjodh Edi Paloka. Ky i fundit u zhgradua nga posti i nënkryetarit. Gjatë mbledhjes së Kryesisë së vjetër të partisë më 15 korrik, dy ditë para se PD të mblidhte Kuvendin kombëtar u raportua se Paloka ishte mes emrave që kundërshtoi analizën e zgjedhjeve të 25 prillit, ku Qarku i Durrësit vlerësohej si qark ku nuk ishte arritur objektivi minimal.
Kryetarja e Komisionit të Apelimit, Integritetit dhe Etikës është zgjedhur Flutura Açka. E njohur për temperamentin e saj dhe e dalë deputete në Elbasan, Açka ndoshta është figura më e paparashikueshme brenda Partisë Demokratike.
Jemin Gjana, si kryetar i Komisionit Zgjedhor brenda partisë e ka treguar dy herë se është besnik i Bashës. Fillimish në zgjedhjet e për kryetar pas zgjedhjeve parlamentare të 2017-s dhe në zgjedhjet e njëjta që pasuan 25 prillin. Në të dyja rastet ai drejtoi organizimin e këtyre zgjedhjeve, që nga rivalët e Bashës u shoqëruan edhe me kritika për manipulim.
Belind Këlliçi, një prej deputetëve më të votuar të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 prillit po ashtu është një emër i promovuar nga Lulzim Basha, ashtu si emra të tjerë si Ledina Mandia.
Ivi Kaso dhe Endri Hasa, përveçse kanë treguar gjatë këtyre viteve në politikë mbështetje konstante ndaj vendimeve të Bashës, po ashtu edhe Albana Vokshi e zëdhënësja Ina Zhupa.
Mes atyre pak emrave që mund të kundërshtojnë vendimet e Bashës në kryesi mudn të jetë Gent Strazimiri. I njohur si mbështetës i opozitës së ashpër ndaj Edi Ramës, Strazimiri nuk doli as deputet në zgjedhjet e 25 prillit, ashtu si edhe Aldo Bumçi. Në listën e emrave “neutralë” mund të përfshihet edhe Kreshnik Çollaku, i dalë deputet në qarkun e Dibrës.
Përbërja e Kryesisë së re dhe emrat e drejtuesve të rinj të strukturave paralajmërojnë një drejtim të qetë të Lulzim Bashës në PD, të paktën nga brenda strukturave të partisë. Por, rreziku më i madh i tij është jashtë këtyre strukturave dhe deri më tani paralajmëron se do të jetë pjesë e grupit parlamentar të PD-së në parlamentin e ri.
Ai është Sali Berisha, i shpallur “non grata” nga SHBA, që përmes Ambasadores Yuri Kim i ka kërkuar Bashës distancimin e PD prej tij. Distancimi nënkupton përjashtimin e Berishës nga ky grup. Ndaj, Basha këtë vjeshtë do të jetë para vendimit të vështirë; ose të përjashtojë Berishën dhe të marrë përsipër koston e mundshme politike që ky vendim mund t’i japë brenda partisë, ose ta lejojë në këtë grup dhe të bëjë opozitë me “damkosjen” amerikane se është kryetar i një partie që ka një deputet “non grata” nga Uashingtoni.