“Mëria” e vjetër e Ramës me Haradinajn si mesazh për Albin Kurtin

Nga takimi i famshëm informal i Berlinit në tetor të 2019-s kanë kaluar thuajse dy vite, por as koha duket se nuk i ka fshirë “mëritë” mes Kryeministrit Edi Rama dhe ish-Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Mërinë” e vjetër Rama e kujtoi përmes reagimit të publikuar të martën në rrjetet sociale, si përgjigje ndaj kritikuesve për përfshirjen dhe mbështetjen e Shqipërisë në nismën “Ballkani i Hapur”.

Mes rreshtave, Rama u thotë qortuesve të tij se Kosova nuk mund të dalë kundër aleatëve të saj, aq më tepër kundër Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për ta ilustruar këtë sjell fjalët, që ndonëse nuk e përmend në emër nënkuptohet lehtësisht se janë të Ramush Haradinajt.

“A mund ta fitojë Kosova paqen përfundimtare dhe a mund të prosperojë kombi shqiptar, duke u ftohur e siç i themi ne, duke “i treguar babait arat”, kur flet me Amerikën, Gjermaninë, Francën a me vetë Bashkimin Europian? E bëj këtë pyetje, sepse e kam jetuar në vetë të parë “tregimin e arave”, deri në pikën që një lider kosovar ia futi në sy të Merkelit e Macronit, “mu nuk më han luli për kta!” dhe mu aty e humbi rastin historik t’ia hiqte vizat Kosovës, të cilën e bëri lolo në sytë e aleatëve të saj të pazëvendësueshëm strategjikë me marrëzira kinse patriotike”, tha Rama.

Haradinaj akuzoi se Rama-Thaçi e Vuçiç duan të ndajnë Kosovën për të marrë 10 miliardë euro. Rama tha se këto janë shpifje që Haradinaj duhet t’i sqarojë në gjykatat e Kosovës. Nga ana tjetër, kryeministri shqiptar mohoi që t’i ketë bërë presion Haradinajt për taksën. Por sërish Haradinaj nuk tërhiqet nga qendrimi i tij. Haradinaj se nuk dëshiron që të komentojë Ramën, por nga ana tjetër shton se “Qendrimi im kundër ndarjes është legjitim, e kam edhe unë këtë të drejtë, duke ekspozuar çdo njeri që e ka këtë synim.”

Përplasja me Haradinajn në atë kohë u përshkallëzua deri në gjykatë, ku Rama paditi në gjykatën e Prishtinës ish-Kryeministrin e Kosovës për shpifje, pasi ky i fundit e akuzoi se së bashku me Thaçin dhe Vuçiçin po mbështesnin ndryshimin e kufijve të Kosovës. Më 30 qershor të 2020, gjatë një vizite dyditore në Prishtinë, Rama tha se do të tërhiqej nga kjo padi, por dy vite nga përplasja e Berlinit, mëria mbetet e njëjta.

Ndaj, sot mesazhi i Ramës më shumë se atyre që kanë ndodhur me Ramush Haradinajn, duket si një ftesë për Albin Kurtin, që sipas tij, të mos përsërisë gabimet e Ramush Haradinajt dhe të bëhet pjesë e “Ballkanit të Hapur”, nismë që duket se ka edhe mbështetjen e qeverisë gjermane, por që për Kryeministrin e Kosovës është nismë e Serbisë.

Por, Rama thotë se Ballkani i Hapur është jo vetëm rruga e të ardhmes për prosperitetin e kombit shqiptar, por është edhe një mundësi e re dhe e madhe më shumë, në rrugën drejt njohjes së Kosovës nga Serbia.

“Sa për një nga shumë shembuj të dobisë së madhe të Ballkanit të Hapur, kush nuk do që ta kuptojë pse Ballkani i Hapur e heq më në fund kufirin mes Shqipërisë e Kosovës, le të më thotë pse nuk e kanë hequr dot deri më sot ata që e kanë premtuar me bujë dhe pse nuk e heq dot pa Ballkanin e Hapur atë kufi, asnjë prej atyre të cilëve “nuk u han luli” për aleatët e pazëvendësueshëm strategjikë të Kosovës e të Shqipërisë bashkë, që e mbështesin plotësisht nismën Open Balkan”, thotë Rama.

Kryeministri ka vërejtje edhe për mënyrën e menaxhimit të dialogut me Serbinë nga ana e Albin Kurtit, që thotë se me këtë strategji po u “acaron nervat” aleatëve strategjikë të shqiptarëve.

“A mund ta fitojë Kosova paqen dhe a mund të lulëzojë shteti i saj i ri, po edhe shqiptaria si e tërë, duke e kthyer Dialogun me Serbinë në një monolog që nuk i prish asnjë punë Serbisë (përkundrazi acaron prej vitesh tanimë nervat e aleatëve tanë të pazëvendësueshëm strategjikë, të cilëve për krejt fajin e monologuesve të Kosovës, Serbia u duket gjithnjë e më e pafajshme, ndërsa Kosova gjithnjë e më pak e arsyeshme)?”, thotë Rama.

©Copyright Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT