“PD të ndahet nga Berisha”/ RD publikon deklaratën kundër ‘liderit historik’, a po distancohet PD-ja nga ish-kryetari i saj?

Teksa na ndajnë edhe pak ditë nga nisja e sesionit të ri parlamentar, Lulzim Basha ka formuar një “ekip të ri” për t’u përballur me Edi Ramën, ekip të cilit i janë shtuar edhe zëra kritikë.
Ndonëse opozita humbi Mark Markun dhe Bujar Nishanin, një tjetër zë i fortë duket se shtuar në radhët e PD-së. Bëhet fjalë për studiuesen dhe pedagogen Jonila Godole, e cila në daljen e saj të parë publike, një ditë pasi u zgjodh drejtuese e Sekretariatit për të Përndjekurit Politikë, deklaroi hapur se PD duhet të ndahet nga Sali Berisha dhe të ecë përpara.
Por përveç qëndrimit të Godoles, ajo çfarë përbën lajm, është fakti se deklarata e saj, është publikuar në gazetën zyrtare të PD-së, Rilindja Demokratike.
Kjo është hera e parë në fakt që gazeta zyrtare e selisë blu, publikon një deklaratë të një zyrtari të tyre që kërkon largimin e Sali Berishës nga PD.
“Vendimi i z. Berisha është vendim personal i tij. Çdo forcë politike tregon pjekurinë e vet pikërisht në këto lloj momentesh të rëndësishme.
Kjo do ta çojë PD përpara ose jo, këto janë kosto që do t’i mbajnë ata. Unë kam thënë që bota ka treguar që dhe personalitete të mëdha, të cilët kanë qenë absolutisht të rëndësishëm për gjithë Evropën, ku kam sjellë në vëmendje rastin e ish-kancelarit gjerman Helmut Kohl, në një moment të caktuar partisë i është dashur të marrë një vendim, që të ndahej prej tij, por duke respektuar kontributin e tij deri në fund.
Këto janë vendime që i marrin partitë vetë. Këto janë modele që unë i kam sugjeruar. Nëse mua do më pyesin sot nga brenda PD, patjetër që do ta sugjeroj këtë dhe do flas hapur. Por kjo është pjesë e PD, duhet të tregojë se është vërtet një parti që e meriton të vijë në pushtet.
Unë shpresoj shumë që PD të bëjë zgjidhjen e tyre“, ka deklaruar Godole në news24.
PD distancohet nga Berisha?
Nuk dihet nëse publikimi i lajmit nga gazeta zyrtare e PD-së, është një tregues që kjo parti, po shkon drejt distancimit nga Sali Berisha, i cili është shpallur “non grata” nga SHBA.
Amerikanët nuk janë mjaftuar vetëm me shpalljen “non grata”, por kanë ushtruar edhe presion që ai të mos jetë pjesë e parlamentit. Gjithsesi, deri në këto momente nuk ka qendrim nga ana e PD, ndërsa vetë Berisha ka deklaruar se mezi po pret të rikthehet në Kuvend./Gazeta SHQIP