Perëndimi duhet të pyes veten: Nëse ISIS është armiku, a i bën kjo talebanët miqtë tanë?

Pas gjakderdhjes në aeroportin e Kabulit, realiteti i hidhur për ata që duan të parandalojnë që bashkëpunëtorët e Shtetit Islamik të shkaktojnë vrasje dhe kaos të mëtejshëm në Afganistan, është se në praktikë, partneri i tyre më i mirë për këtë betejë komplekse dhe të vështirë do të ishin talebanët.
Shteti Islamik Khorosan (ISKP) – emri është huazuar nga ai i përdorur nga perandoritë e hershme islamike për të përshkruar pjesën më të madhe të Iranit modern, Afganistanit dhe Pakistanit – u themelua gjashtë vjet më parë.
Në vitin 2019 dhe në fillim të vitit 2020, një seri ofensivash talebanë, si dhe operacione të qeverisë amerikane dhe afgane, shkatërruan ISKP-në në Afganistanin lindor, duke e zvogëluar kontrollin e saj në territor në vetëm dy lugina të vogla në Kunar, provincën kufitare verilindore. Pavarësisht disa ofensivave këtë vit, talebanët nuk kanë qenë në gjendje të dëbojnë luftëtarët e ISKP nga këto baza. Tani që talebanët nuk kanë më nevojë të luftojnë diku tjetër, shumë më tepër forca mund të përqendrohen kundër tyre dhe ato mund të eliminohen në një fazë së shpejti.
Por, megjithëse kjo do të ishte një goditje e rëndësishme për Shtetin Islamik Khorosan, kjo nënvizon dilemën me të cilën përballen SHBA. Rregulli në Afganistan ka qenë prej kohësh “armiku i armikut tim është miku im”. Kjo përcakton se cilët fuqizues lokalë amerikanët do të zgjedhin të mbështesin – për shembull, cilin aktor ka më shumë gjasa t’u sigurojë atyre burimet që u nevojiten për të ruajtur ndikimin e tyre – dhe kë duhet të luftojnë. Por nëse armiku i SHBA është ISKP, a i bën kjo talebanët miq?
Që ISKP është armiku i SHBA -së dhe talebanëve është i qartë. Shteti Islamik Khorosan e merr ideologjinë nga doktrinat e ashpra “Salafi-xhidahiste”. Qëllimi i tij përfundimtar është një kalifat që shtrihet në të gjithë botën islame – një “komb i vetëm i Islamit”, brenda të cilit shpërbëhen kombet individuale. Një nga fyerjet e bëra nga anëtarët e ISKP ndaj talebanëve, të cilët ata tashmë i konsiderojnë “apostatë” për moderimin dhe negociatat e tyre (relative) me perëndimin, është se ata janë gjithashtu nacionalistë.
Talibanët nuk e kanë fshehur kurrë besimin e tyre në shtetin kombëtar, megjithëse ai pa dyshim shpesh ngjyroset me një shkallë të shovinizmit etnik dhe sektar. As talebanët nuk janë lidhur ndonjëherë drejtpërdrejt me ndonjë sulm terrorist përtej kufijve të Afganistanit. Ata as nuk kërkojnë të krijojnë një kalifat. Shteti për të cilin ata kanë luftuar është një “emirat”, një propozim shumë më pak ambicioz sesa superfuqia e unifikuar islamike e kërkuar nga IS.
Ndërsa ISKP, Shteti Islamik Khorosan, ka rimarrë fuqinë gjatë vitit të kaluar, i ndihmuar nga një donacion prej 20 milionë dollarësh nga udhëheqja e IS në Irak, sulmet e tij kanë përfshirë një fushatë vrasjesh kundër zyrtarëve talebanë të nivelit të mesëm. Bombardimi i aeroportit të Kabulit kishte për qëllim të minonte po aq pretendimin e sundimtarëve të rinj të Afganistanit për një monopol dhune. Nuk është për t’u habitur, njerëzit që dinë më shumë për ISKP në terren – të cilët kanë emrat e komandantëve të tij dhe që mund të shkatërrojnë rrjetet e tij të financave ose madje thjesht të ndalojnë tregtarët e armëve nga të cilët ka blerë sasi të konsiderueshme të armëve në javët e fundit – janë Talebanët.
SHBA, nga ana tjetër, sapo ka shpërbërë rrjetet dhe pajisjet e saj të inteligjencës, ka tërhequr stafin e saj, dhe ka paguar ose ka evakuuar burimet e saj. Tani SHBA po mbështetet në atë që Presidenti Biden e quan kapacitet kundër terrorizmit “mbi horizont”.
Ndërkohë, talebanët kanë treguar qartë dëshirën e tyre për njohje ndërkombëtare, ose të paktën pranim. Se sa janë të përgatitur udhëheqësit e tyre për ta arritur këtë është ende e paqartë, por, në aspektin praktik, bashkëpunimi me SHBA në betejën kundër një armiku të ndërsjellë është sigurisht i mundur. Kjo mund të jetë jo më shumë se ndarja e informacioneve sekrete. Një njoftim taleban për një sulm me dron amerikan mbi një komandant të lartë të ISKP do të duket një marrëveshje reciprokisht e dobishme, për shembull. Zyrtarët e sigurisë, 7,000 kilometra larg Kabulit, ndoshta do t’i linin të tjerët të meditonin mbi çështjet morale dhe etike të ngritura nga marrëveshje të tilla me një regjim të neveritshëm.
Por edhe një herë SHBA ka zbuluar se rregullat e lojës përcaktohen nga ata që jetojnë atje, jo nga politikëbërësit në Uashington. Kështu që Uashingtoni duhet të zgjedhë: cilin armik dhe cilin mik./ The Guardian – Përktheu Gazeta SHQIP