Përplasja Rama-Kurti, si ‘Ballkani i Hapur’ po shndërrohet në ‘mollë sherri’

“Open Balkans”, iniciativa e bashkëpunimit rajonal të Ballkanit Perëndimor që mbështetet pa kushte nga Rama, Vuçiç dhe Zaev po shndërrohet gjithmonë e më shumë në një mollë sherri dhe po ndikon në shtimin e tensioneve mes Prishtinës me Beogradin zyrtar, por edhe me Tiranën.

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e “100 vjetorit – Hasan Prishtina Kryeministër i Shqipërisë”, ku në Shkup u mbajt sot tribuna tematike “Kauzat shqiptare – para dhe pas Hasan Prishtinës”, përmes një reagimi kryeministri Albin Kurti duke se ka patur një mesazh të drejtpërdrejtë edhe për Edi Ramën.

‘Vetëm kur të lidhemi fort me njëri-tjetrin, do të mund të hapemi me fqinjët pa u rrezikuar‘, deklaron Kurti, ndërsa thekson se ‘askush nga politikanët shqiptarë nuk duhet të bashkëpunojë me krimin‘.

‘Rajoni fiton siguri dhe stabilitet afatgjatë vetëm nga dënimi dhe izolimi i kriminelëve, shton më tej lideri kosovar‘, duke nënvizuar se “kahja jonë si shqiptarë është perëndimi”.

“Mesazhi që dua të jap sot është ai i të qenit pranë njëri-tjetrit, me projekte të përbashkëta, me koordinim dhe me punë. Vetëm kur të lidhemi fort me njëri-tjetrin, do të mund të hapemi me fqinjët pa u rrezikuar.

Kahja jonë si shqiptarë është perëndimi, aleatët tanë janë ShBA dhe BE, aspirata jonë legjitime është barazia me popujt e tjerë të Ballkanit dhe bashkimi paqësor e demokratik kombëtar, e detyra jonë më emergjente është që të luftojmë korrupsionin dhe t’i hapim rrugën zhvillimit ekonomik. Rajoni fiton siguri dhe stabilitet afatgjatë vetëm nga dënimi dhe izolimi i kriminelëve, dhe askush nga politikanët shqiptarë nuk duhet të bashkëpunojë me krimin. Kohë të mira po vijnë për shqiptarët por edhe për fqinjët tanë, sepse partnerët tanë të mëdhenj janë më të vendosur se kurrë për të na ndihmuar në luftën tonë për drejtësi e demokraci, por edhe kundër ndikimeve negative ruso-kineze në qytetet e në shtetet tona, por edhe në rajon. Jam i sigurt se shqiptarët, në të gjitha shtetet ballkanike ku jetojmë e veprojmë, nuk do ta humbim këtë moment të rëndësishëm historik”.

Procesi i Berlinit, Minishengeni dhe Ballkani i Hapur

“Minishengeni”, së fundmi i emërtuar si “Ballkani i hapur”, ka futur në një kurs përplasjeje dy kryeministrat shqiptar. Kosova ka refuzuar pjesëmarrjen në këtë process, ndërsa sipas Ramës, politika që po ndjek Prishtina ka bërë të humbë mbështetjen ndërkombëtare.Përmes nje reagimi pak ditë më parë, Rama u shpreh se nisma “Ballkani i hapur” sipas tij do të ndikojë edhe në njohjen nga Serbia.

Kosova shprehet se nuk është kundër bashkëpunimit rajonal, por çdo marrëveshje duhet finalizuar në kuadër të Procesit të Berlinit, të iniciuar nga kancelarja Angela Merkel.

Dy ditë më parë, këshilltari politik i Albin Kurtit, Jeton Zulfaj tha se Gjermania nuk e mbështet “Mini Shengenin” por Tregun e Përbashkët Rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit. Ai e ftoi Ramën të punojnë së bashku në Procesin e Berlinit.

“Gjermania nuk mbështet “Minishengenin” tash të ndryshuar në “Open Balkan”. Gjermania mbështet Tregun e Përbashkët Rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit. “Minishengen” (Open Balkan…) është duplifikim i panevojshëm. Eja të punojmë së bashku në Procesin e Berlinit Edi Rama”, ka shkruar Zulfaj.

Gjithsesi ndryshe mendon Rama, i cili shprehet se “Ballkani i Hapur” ka bekimin e Gjermanisë.

 “ÇUDI”! Qeveria gjermane e mbështeska ‘Open Balkan’ ndryshe nga çfarë u thuhet njerëzve në Prishtinë e Tiranë prej atyre që s’pyesin për Amerikën dhe jo vetëm kaq, po kërkon nënshkrimin urgjent të marrëveshjeve për Tregun e Përbashkët Rajonal para Samitit BE-Ballkan në 6 tetor!

Open Balkan thotë qeveria gjermane duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe po, patjetër, kështu duhet të jetë e ndaj dera është e hapur, por as nuk përfshijmë dot kënd me zor, as nuk rrimë dot të presim sa t’u mbushet mendja atyre që s’duan të kuptojnë se kjo është rruga e të ardhmes!”, shkruajti Rama dje në Twitter.

Gjithsesi duhet thënë se si Gjermania, ashtu edhe Bashkimi Europian, zyrtarisht flasin vetëm për “Procesin e Berlinit”. Në korridoret e BE apo dhe dokumente zyrtare  nuk është përmendur asnjëherë termin “Minishengeni Ballkanik” apo “Ballkani i Hapur”./Gazeta SHQIP

Back to top button
LAJMET E FUNDIT