Sa larg Enverit është Saliu?!

Pajtim Bello

Në 25 maj 1959 Nikita S Hrushovi, Sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste dhe kryetar i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Sovjetik (BS), pati ardhur në Shqipëri për një vizitë zyrtare dhe ndenji plot 11 ditë. Veç së tjerash, Hrushovi erdhi në Shqipëri për të vënë nën kontroll Enverin apo për ta hequr qafe atë nëse nuk e kthente dot në mbështetës të tij.

Enveri u informua mbi këtë qëllim dhe, përtej fanfarave me të cilat u përcoll vizita e Hrushovit, i dërgoi atij mesazhe që me siguri Hrushovi i ka dekoduar që në ditët e qendrimit në Shqipëri. Me një gjuhë shekspiriane Enveri i nxori Hrushovit fantazmën e Stalinit kudo që ai shkoi për vizitë. Madje në shtypin e kohës pati edhe një shkrim redaksional ku thuhej se mikut i japim qoshenë por jo çelësat e shtëpisë.

Kjo histori ka ndodhur 62 vite më parë, periudhë ku mardhëniet Shqipëri-BS kishin hyrë në një krizë, ende të pashpallur zyrtarisht, dhe në Ballkan kishte tendenca për zhvillime gjeopolitike mes NATO dhe Traktatit të Varshavës. Enveri e realizoi atë që me mesazhe të koduara ia transmetoi Hrushovit dhe viti 1961 shënoi prishjen përfundimtare të marrëdhënieve Shqipëri-BS, ngjarje kjo që kulmoi me largimin e forcave ushtarake dhe luftanijeve të BS nga Baza Ushtarake e Pashalimanit në Vlorë në 4 qershor 1961.

Për ironi të fatit sot Partia Demokratike, Lulzim Basha dhe Sali Berisha po i dërgojnë mesazhe të koduara Ambasadores Yuri Kim dhe SHBA. Në kongresin e fundit të PD hyrja e Sali Berishës në sallë u prit me thirrje e britma të llojit “Allahu Akbar!..” duke i bërë karshillëkun më barbar Departamentit të Shtetit të SHBA. Kjo sjellje, aq sa ishte mbështetje për Sali Berishën, më shumë ishte një kërcënim për SHBA, më shkoqur një paralajmërim antiamerikan i koduar. Ky paralajmërim është përsëritur herë të tjera në forma të ndryshme. Mes tyre të lë shije të hidhur një shkrim në një prej mediave pranë PD e më shumë pranë Sali Berishës ku me sa duket vetë Saliu po përsërit historinë duke dashur të kopjojë sjelljen e Enver Hoxhës ndaj Hrushovit dhe Bashkimit Sovjetik. E njëjta përmbajtje. Si dy pika uji në formë e në përmbajtje por jo në adresim dhe rezultat.

Nga frengjitë e kanunit gjithë bateritë e Sali Berishës me të tijët po qëllojnë në mish mbi Ambasadoren Kim dhe SHBA. Qëllojnë pa prerë, me ndërgjegje e vendosmëri dhe ndiejnë kënaqësi e krenari për aktin e neveritshëm që kryejnë. E qartë, duan të largojnë SHBA nga Shqipëria. Kjo nuk është profeci por përpjekje e ethësme e Saliut me të tijët.

Enver Hoxha veproi në të njëjtën mënyrë por shporri nga Shqipëria rusët dhe kjo ngjarje ka shënuar një kthesë në zhvillimet rajonale  në Ballkan e sidomos për fatin e Kosovës nën Serbinë. Për këtë sjell në vëmendje kujtimet e ish Gjeneralit Ramohito:

“Sa influencoi vendimi jonë i marrë në atë kohë,… në situatën në Ballkan dhe sidomos në situatën në Kosovë, ku dihet se bazat tona Aero-Portuale e tokësore, përfshi edhe të Pashalimanit… u vunë me të drejtë në dispozicion të NATO-s, që siç dihet luajtën dhe ato një rol të rëndësishëm në luftën e çlirimit të Kosovës nga genocidi Serb.”

Në atë kohë shqiptarët realizuan një akt heroik, duke qenë largpamës për çfarë do të sillte ky akt, për të cilin ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Admirali gjerman Verner, në një takim me ushtarakë e marinarë shqiptarë është shprehur: “Ju ushtarakët shqiptarë meritoni të mburreni me historinë tuaj, kjo edhe për faktin se ju guxuat të parët që vendi juaj i vogël të mos jetojë nën sqetullën e një fuqie të madhe të kohës, siç ishte Bashkimi Sovjetik, kur në atë periudhë shumë shtete më të mëdha e më të fuqishëm se ju nuk e bënë këtë që bëtë ju!”.

Enveri e la rrugën e hapur që NATO të vijë në Shqipëri, kurse Saliu kërkon ta hedhë NATO-n në det!.. Sa larg Enverit është Saliu, si udhëheqës apo edhe si shqiptar. E pra ky është Saliu të cilin e mbron PD dhe kryetari i sajë Lulzim Basha. Këta do të dështojnë në këtë mision antihistorik e antishqiptar. Koha e afërt do t’iu verë vulën e turpit, vulë që do ta mbajnë mbi ballë tërë jetën.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT