Shpejtësia me të cilën ra qeveria afgane habiti SHBA, Biden do t’u drejtohet amerikanëve

Presidenti Joe Biden kthehet në Shtëpinë e Bardhë të hënën për t’iu drejtuar kombit me një mesazh në lidhje me situatën e krijuar në Afganistan pas tërheqjes së trupave amerikane prej andej dhe rënies së qeverisë.
Biden dhe zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë janë shprpehur të habitur nga shpartallimi i shpejtë i ushtrisë afgane dhe forcave të tjera proqeveritare përballë ofensivës së talibanëve.
Dalja e Presidentit amerikan pason incidentet e regjistruara në aeroportin e Kabulit, ku të paktën shtatë persona gjetën vdekjen në përpjekje për të hipur në avionët që largoheshin prej andej. Raportimet thonë sse pesë prej viktimave janë persona që kishin hipur në një avion ushtarak amerikan dhe ranë prej tij pak pasi mjeti u ngrit fluturim.
Shpjetësia me të cilën kapitulloi qeveria afgane shkaktoi kritika të forta ndaj Presidentit Biden, të cilin republikanët e akuzojnë se dështoi me Afganistanin dhe në llogaritjen e pasojave të tërheqjes amerikane.
Biden bëri fushatë si një ekspert me përvojë në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe ka kaluar muaj duke nënvlerësuar perspektivën rritjes së talibanëve, ndërsa argumentoi se amerikanët e të gjitha bindjeve politike janë të lodhur nga një luftë 20-vjeçare, një konflikt që demonstroi kufijtë e parave dhe fuqisë ushtarake për të detyruar një demokraci e stilit perëndimor në një shoqëri jo të gatshme për ta përqafuar atë.
Megjithatë, deri të dielën, figurat kryesore në administratë pranuan se ishin kapur në befasi nga shpejtësia e madhe e kolapsit të forcave afgane të sigurisë. Sfida e asaj përpjekjeje u bë e qartë pasi raportet për të shtëna sporadike në Aeroportin e Kabulit i shtynë amerikanët të strehoheshin në pritje të evakuimit.
Këshilltari për sigurinë kombëtare Jake Sullivan tha të hënën se Afganistani ra më shpejt se sa priste administrata dhe fajësoi rënien e qeverisë mbi vetë afganët.
“Sigurisht që shpejtësia me të cilën ranë qytetet ishte shumë më e madhe se ç’kishte menduar gjithkush”, tha Sullivan të hënën në “Today” të NBC. Por, ai tha se SHBA përfundimisht nuk mund t’u japë forcave afgane të sigurisë “vullnetin” për të luftuar dhe për të mbrojtur demokracinë e tyre të re nga talebanët.
“Në fund të ditës, përkundër faktit se kemi shpenzuar 20 vjet dhe dhjetëra miliarda dollarë për t’i dhënë pajisjet më të mira, trajnimin më të mirë dhe kapacitetin më të mirë forcave afgane të sigurisë, ne nuk mund t’u jepnim atyre vullnetin dhe ata përfundimisht vendosën që ata nuk do të luftonin për Kabulin dhe nuk do të luftonin për vendin e tyre”, tha Sullivan.
Biden është presidenti i katërt amerikan që përballet me sfidat në Afganistan dhe ka këmbëngulur se nuk do t’ia dorëzonte pasardhësin e tij luftën më të gjatë të Amerikës. Por, presidenti ka të ngjarë të shpjegojë sesi siguria në Afganistan ra kaq shpejt, vecanërisht pasi ai dhe të tjerët në administratë kanë këmbëngulur se kjo nuk do të ndodhte, madje duke shprehur bindjen te aftësia e ushtrisë afgane për të sprapsur talibanët.
“Juria është akoma jashtë, por gjasat që talibanët të kapërcejnë gjithçka dhe të zotërojnë të gjithë vendin është shumë e pamundur,” tha Biden më 8 korrik.
Por privatisht, zyrtarët e administratës paralajmëruan se ushtria po shkatërrohej, duke bërë që Biden të enjten të urdhërojë mijëra trupa amerikane në rajon për të shpejtuar planet e evakuimit.
Presidentët Barack Obama dhe Donald Trump gjithashtu dëshironin të largoheshin nga Afganistani, por përfundimisht u tërhoqën përballë rezistencës së udhëheqësve ushtarakë dhe shqetësimeve të tjera politike. Biden, nga ana tjetër ka qenë i palëkundur në refuzimin e tij për të ndryshuar afatin e 31 gushtit, pjesërisht për shkak të besimit të tij se publiku amerikan është në anën e tij.
Shumica e republikanëve nuk e kanë shtyrë Biden të mbajë trupat në Afganistan për një afat të gjatë dhe ata gjithashtu mbështetën vendimin e Trump për t’u tërhequr. Megjithatë, disa në GOP po e shtojnë kritikën e tyre ndaj strategjisë së tërheqjes së Biden dhe thanë se pamjet nga e diela e helikopterëve amerikanë që rrethonin Ambasadën e SHBA në Kabul evokuan largimin poshtërues të personelit amerikan nga Vietnami.
Udhëheqësi republikan i Senatit Mitch Mçonnell i konsideroi skenat e tërheqjes si “sikleti i një superfuqie të gjunjëzuar”.