Studentët u nxorën nga konviktet për afganët? Rama: Fabrikim i dorës që ka vulosur ngjarjet më të zeza e shpifjet më të ulta. Turpi i shqiptarisë

Nxjerrja e studentëve nga godinat e Qytetit Studenti në Tiranë, për të futur afganët, ka shkaktuar polemika në vendin tonë. Për debatin e përqëndruar kryesisht në rrjetet sociale, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama.
Në një reagim të shkurtër në Twitter, Rama thekson se lidhja me nxjerrjen e studentëve nga godinat është fabrikim i të njëjtës dorë që prej 30 vjetësh ka vulosur ngjarjet më të zeza e prodhur shpifjet më të ulëta në këtë vend.
“Lidhja e strehimit paraprak të afganëve që janë si ne 30 vjet më parë, me gjoja nxjerrjen e studentëve nga konviktet është fabrikim i të njëjtës dorë që prej 30 vjetësh ka vulosur ngjarjet më të zeza e prodhuar shpifjet më të ulëta në këtë vend! Ajo dorë është turpi i Shqiptarisë”, shkruan Rama.
Rama, me anë të një postimi në Twitter u shpreh se populli shqiptar nuk duhet të harrojë se dikur ka qenë në pozitën e afganëve që po largohen nga vendi i tyre, pasi talebanët morën pushtetin.
“Dikur afganët ishim ne, që largoheshim nga Ferri ynë. Shqipëria nuk duhet të harrojë. Ia kemi borxh fëmijëve tanë”, shkruan Rama në rrjetin social, duke postuar foto të afganëve në aeroport dhe shqiptarëve në anije, dhe duke shpërndarë linkun e intervistës së tij me BBC./Gazeta SHQIP
