Talebanët flasin para popullit: I kemi falur armiqtë, edhe të brendshmit! Duam që askush të mos largohet nga Afganistani

Talebanët i janë drejtuar sot popullit afgan, dy ditë pasi morën në kontroll edhe Kabulin. Ata kanë thënë se i kanë falur të gjithë, edhe ata që luftuan kundra tyre, duke kërkuar që askush të mos largohet nga Afganistani.
“Ne i kemi falur të gjithë në dobi të stabilitetit dhe paqes në Afganistan. Luftëtarët tanë, njerëzit tanë, të gjithë i kemi falur. Pas formimit të një qeverie, gjithçka do të jetë më e qartë. Askush nuk do të trajtohet me hakmarrje.
Të rinjtë që janë rritur këtu, ne nuk duam që ata të largohen. Ata janë pasuria jonë. Askush nuk do të trokasë në derën e tyre dhe nuk do t’i pyesë se për kë kanë punuar. Ata do të jenë të sigurt. Askush nuk do të merret në pyetje apo ndiqet. Ne nuk duam armiq të brendshëm apo të jashtëm”, është shprehur zëdhënësi i talebanëve Zabiullah Mujahid.
Për gratë, disa prej të cilave sot u ngritën në protestë, ai tha se ato do të jenë aktive në shoqëri, por brenda kornizës së Islamit.
Gratë do të jenë shumë aktive në shoqëri, por brenda kornizës së Islamit. Ato do të punojnë krah për krah me ne. Ne do të donim të siguronim bashkësinë ndërkombëtare se nuk do të ketë diskriminim”, tha Mujahid.
Ai siguroi dhe ndërkombëtarët se nga Afganistani nuk do të ketë hakmarrje.
“Toka e Afganistanit nuk do të përdoret kundër askujt. Ne mund ta sigurojmë komunitetin ndërkombëtar për këtë”, u shpreh zëdhënësi i talebanëve Zabiullah Mujahid. Një mesazh ai e pati dhe për mediat, për të cilat tha se nuk duhet të punojnë kundër talebanëve.