“Talibanët nuk kanë ndryshuar! Po mashtrojnë ndërkombëtarët me sjelljen e zbutur”

Ajo se çfarë talibanët thonë në teori në lidhje me të drejtat e grave dhe çfarë zbatojnë në praktikë për këto të drejta janë dy gjëra të ndryshme.
Kështu deklaron për BBC, Pashtana Durrani, mësuese dhe aktiviste e të drejtave të njeriut në Afganistan.
“Vajzave në Kandahar u është thënë që të qëndrojnë në shtëpi. Atyre në Herat po ashtu u është thënë e njëjta gjë”, thotë ajo.
Mësuesja afgane mendon se qëndrimi i zbutur i talibanëve nuk është i sinqertë dhe me këtë qëndrim ata po përpiqen që të sigurojnë legjitimitetin e qeverisë së tyre nga ndërkombëtarët dhe jo se e kanë në plan realisht që të lejojnë arsimimin e vajzave.
“Mendoj se më shumë po kërkojnë që të sigurojnë legjitimitetin. T’u njihet ndërkombëtarisht qeveria e tyre”, vijon Durrani.
Ajo është ndër të paktat gra dhe vajza që vazhdojnë ende të kritikojnë e kundërshtojnë regjimin e talibanëve. Durrani thotë se pavarësisht frikës se kjo mund t’i kushtojë jetën, ajo do të vazhdojë të flasë.
“Talibanët nuk do të na mbyllin dot gojën. Duhet ta zhvillojmë këtë luftë sot me ta për të drejtat tona, në mënyrë që gjenerata tjetër të mos përballet më këtë lloj konflikti”, thotë Durrani.