VIDEO/ Njihni vajzat që po luftojnë me flakët në malet e Shqipërisë

Nga Mira Kazhani
Shqipëria në flakë! Flakë jo nga ato metaforat e politikës së ditës, por në kuptimin e plotë të fjalës, që djeg çfarë gjen përpara: shtëpinë, bagëtinë, bimësinë, në rastin më fatal edhe njerinë!
Një foto e Karaburunit më erdh si sëmbim në zemër. Sot në mëngjes udhëtova drejt vajzave që luftojnë me flakët maleve të Shqipërisë. Kisha parë disa prej tyre nëpër video, foto e lajme online. Diku i thirrnin heroina e diku… (Zot na ruaj mendjen e kokës, si mund të tallemi me një vajzë të re që s’del në Instagram por del maleve për të shpëtuar jetë?!)
Në Repartin e Bunavisë i gjeta të qeshura dhe biseda u ngroh jo nga vapa sa nga humori i Granitës nga Tropoja.
-Je lodhur?
-Oh jo. Mbrëmë kam numëruar yjet aty buzë flakëve, e palodhur (qesh).
E ka me ndonjë koment negativ që ka dëgjuar.
Më rrëfen se e ka marrë malli për pak gjumë. Janë tre netë pa pikë pushimi, por vajzat nuk ankohen as para kamerës (aty flasin edhe si ushtarake) por as pas saj.
Kanë fikur zjarre dhe kanë shpëtuar shtëpi nga shkretimi me fuqinë e trupit të tyre. Fatma, 21 vjeç, e ka për herë të parë punën e saj në terren.
“Mami më merr në telefon dhe me jep shumë porosi, unë nuk i tregoj kur jam afër zjarrit, ajo bëhet merak” – më thotë.
Era është 22 vjeç dhe zjarret nuk i janë dukur aq të vështira sa tërmeti i 26 Nëntorit.
Të gjitha jetojnë në Tiranë, njëra me familjen që ka krijuar, njëra me të fejuarin, disa me shoqe në një shtëpi me qera, si Xhorxhina. Kanë jetë modeste, Instagram me pak miq, një punë që iu kërkon sakrifica dhe rroga të thjeshta.
Një arsye më shumë për t’i dëgjuar rrëfimet e tyre të sinqerta në këtë video:
*Me shkurtime nga Tiranapost