5 projekte në garë për portin tregtar të Durrësit/ Rama: Janë lider në projektimin e porteve në Europë

Kryeministri Edi Rama thotë se plani për ndërtimin e portit të ri tregtar të Durrësit në Porto Romano ka tërhequr interesin e kompanive ndërkombëtare.
“Tre muaj pas çeljes së garës për detajimin inxhinierik të projektit, interesi ndërkombëtar mbresëlënës konfirmon Shqipërinë si një nyje logjistike dhe detare me potencial të jashtëzakonshëm”, shkruan ai.
Në garën fillestare kanë marrë pjesë 14 kompani, nga të cilat pesë kanë kaluar për në fazën tjetër. Rama thotë sse mes tyre ka kompani lider në Europë në projektimin e porteve, por nuk përmend emra.
“Nga 14 kompani pjesëmarrëse, u përzgjodhën 5 finalistë, lider në projektimin e porteve në Europë dhe më gjerë. Pasi fituesi të dorëzojë projektin ndërtimor final, do të ngrihet kantieri i ndërtimit në 2022”, shkruan Rama.
Porti i ri tregtar i Durrësit do të ndërtohet në Porto Romano, për të shërbyer për shkarkimin e mallrave, ndërsa porti aktual do të transformohet në një port turistik, si pjesë e një investimi 2 miliardë eurosh të kompanisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, EMAAR Group.