Berisha i braktisur, PD rikthehet në Kuvend pas 30 muajsh mungesë. Çfarë pritet sot në dy seancat

Partia Demokratike rikthehet sot në Kuvend pas 30 muajsh mungese. Që prej shkurtit të vitit 2019, e deri më tani kanë kaluar 2 vite e gjysmë, qëkur opozita e kryesuar nga PD, dogji mandatet dhe vendosi të ishte jashtë institucioneve parlamentare.
Por rikthimi i saj në parlament, vjen në një moment tepër delikat. Deputeti më aktiv, themeluesi i kësaj partie, nuk do të jetë më në radhët e saj.
Pas presionit amerikan, Lulzim Basha vendosi që të përjashtonte Sali Berishën nga grupi parlamentar. Vendimi erdhi, pasi Berisha u shpall “non grata” nga SHBA, nën akuzën e “korrupsionit madhor”.
Gjithsesi, kjo nuk e ka penguar Berishën të heqë dorë nga mandati i deputetit. Ai ka deklaruar se do jetë në parlament, ku përveç përballjes me Ramën, “kundërshtar” tashmë ka edhe partinë e tij.
Betimi i deputetëve
Sot, 140 deputetët e dalë nga zgjedhjet e 25 Prillit do të ulen në sallën e Kuvendit për të shënuar nisjen zyrtarisht të kësaj legjislature. Rregullorja e Kuvendit përcakton se drejtues i seancës së parë plenare është deputeti më i vjetër në moshë, deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. Këtë përgjegjësi do e ketë deputetja e PS-së Luljeta Bozo.
Pasdite pritet edhe një seancë e dytë në të cilën do të votohet kryetari i ri i Kuvendit. Lindita Nikolla është propozuar nga Edi Rama për të qenë pasardhëse e Ruçit.
Në bazë të protokollit, sot në Kuvend do të jenë të pranishëm edhe ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim dhe përfaqësues të Ambasadave të tjera, përfshi edhe BE. /Gazeta SHQIP