Berisha refuzon të largohet nga PD-ja: Si e kuptova që Basha po punonte kundër meje, në 2017 i kërkova…

Lufta mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës, pas përjashtimit të këtij të fundit nga PD, sa vjen dhe intensifikohet.

Ish-kryeministri ka shpërthyer në akuza sonte, ndaj kryetarit të PD, që në fakt nga shumë shihet si investimi direkt I Sali Berishës në PD.

Berisha ka treguar se zyrtarë të besuar të huaj dhe shqiptarë i kanë thënë se Lulzim Basha është një nga personat që po punon kundër tij.

“Praktika ime është unë dëgjoj, por kurrë nuk kam thirrur në zyrën time dhe t’i them se ti e ke thënë këtë gjë. Unë jam marrë me veprimet dhe jo me çfarë kanë thënë.

Erdhi puna, më tha njëherë:  thotë ambasadorja, se ne i kemi çuar fjalë Berishës, e ka ditur Berisha këta. Asnjëherë.

Ma tha njëherë, unë i thashë: Lul nuk ma ka thënë njeri këtë. Ma tha edhe njëherë tjetër. Meqë ma tha për herë të dytë i thashë: ‘Më kanë thënë dy burime serioze, njëri nga SHBA dhe tjetri këtu, që po punohet për këtë gjë dhe një nga njerëzit që po punon për këtë gjë është Lulzim Basha. Mund t’i besoja unë ata që ti po punon kundër meje, jo nuk mund ta besoja, sado që ishin burime serioze’. Këto i kam thënë unë. Ky veproi, ky doli”, tha Berisha në syritv.

Ish-kryeministri Sali Berisha vijon të këmbëngulë se është akoma pjesë e grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

“Unë jam anëtar i grupit të PD. Pavarësisht nga burokracia, por ka një ligj, i cili përcakton se kur deputeti nuk është anëtar i forcës së vet politike. Pse jam anëtar i grupit parlamentar të PD? Sepse unë kam kandiduar për PD dhe jo si i pavarur. Së dyti, KQZ e ka lëshuar mandatin e Sali Berishës si deputet i PD. Së treti, zoti Basha ka shpallur një deklaratë televizive, duke dhunuar çdo germë, çdo nen, çdo fjalë të statutit të PD.

Unë nuk kam asnjë vërejtje për mendimin e tij personal, por ky mendim është nul nëse nuk votohej minimumi në Këshillin Kombëtar ku duhet miratuar me dy të tretat”, është shprehur Berisha.

Më tej, ish-kryeministri Sali Berisha zbuloi për herë të parë se i kishte kërkuar kreut të PD-së Lulzim Basha dorëheqjen nga drejtimi i partisë pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2017.

“Në vitin 2017 kur ka humbur zgjedhjet në zyrën time, i thashë duhet të japësh dorëheqjen, më tha nuk e jap. Në vitin 2021 nuk i thashë sepse nuk e jepte, isha i sigurt, por u përpoqa ti japë atë eksperiencë që kam unë në avokatinë e votës në institucionet ndërkombëtare. A kishte bazë ta bënte këtë? Absolutisht kishte bazë. Gjëja me thjesht ishte ti thosha zotëri ke humbur zgjedhjet 2 herë resht. Nëse arrinim të vinim sanksione ndaj Ramës për patronazhistët, ne u thonim shqiptarëve ia dolëm, tani do shkojmë me zgjedhje të lira. Ne tani nuk kemi gojë”, tha Berisha.

Gjithsesi duhet thënë se ish-kryeministri nuk ka kërkuar asnjëherë publikisht largimin e Bashës.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT