Deputeti i ri i PS/ Me mision dy herë në Afganistan, ish-ushtaraku që merr mandatin e Lefter Kokës

Lëvizje e beftë u zhvillua brenda PS-së, ku Lefter Koka, bëri publike dorëzimin e mandatit të deputetit të fituar në qarkun e Durrësit.
Largimi i tij ka shkaktuar jo pak lëvizje dhe se kjo sjell edhe në mënyrë automatike dhe përmbysje të listës, pasi në lojë futet edhe votat e fituara në mënyrë personale. Ana Dhamo ishte kandidatja që kishte 2013 vota dhe e renditura e nënta, por Deliu kishte përfituar më shumë vota se kandidatja socialiste.
Sipas burimeve pranë PS-së, mandatin e lënë nga Lefter Koka e përfiton Denis Deliu pasi ka marrë shumë vota. Fillimisht u përfol se postin mund ta përfitonte një grua, por votat preferenciale dhe ligji zgjedhor nuk e mundësojnë një gjë të tillë.
Deliu ka qenë pjesë e misionit në Afganistan ku dhe mbeti i vrarë kolegu i tij Feti Vogli. Ai ka marrë pjesë dy herë me misione në Afganistan. Po ashtu ai ka marrë shumë vlerësime nga institucionet vendase dhe ndërkombëtare, ndërkohë gëzon mbështetjen dhe simpatinë e qytetarëve krutanë për qarkun e Durrësit ku edhe mori 2848 vota. Ai aktualisht është shefi i sigurisë së organeve të Vettingut.
Ish-oficeri i forcave speciale të FA, Denis Deliu, ka folur për ardhjen e afganëve në Shqipëri. Duke qenë se ka shërbyer dy misione në Afganistan, ai thotë se marrja e pushtetit nga talebanët pas 20 vitesh është shumë e trishtë.
Në një intervistë televizive të kohëve të fundit, ai u shpreh dhe me natyrën e talebanëve. Deliu u shpreh se para disa vitesh shqiptarët ishin si afganët dhe se pritja e afganëve në vendin tonë është vendimi më i duhur për tu marrë për një popull në nevojë. Në Report tv, ai shtoi se refugjatët afganë nuk duhet të shihen si rrezik dhe se shteti ynë i ka të gjitha kapacitetet për t’i mbikëqyrur dhe monitoruar.
Për ish-oficerin, talebanët kanë evoluar shumë në teknikat e tyre të luftës. Si një person që ka luftuar kundër tyre, ai tregon se ata arrijnë të infiltrohen brenda policisë afgane, administratës dhe qeverisë për të marrë informacione dhe vepruar në momentin e duhur.
“Ata kanë eksperiencë në luftë, pasi prej vitesh trajnohen nga grupe sekrete nga Rusia, Kina, Arabia Saudite e Pakistani. Mbetet një grup i rrezikshëm për shkak të taktikave që përdorin, kanë evoluar në teknikat e tyre. Në fillim përdorën pritat ndaj misioneve tona dhe kur panë që dolën të humbur nisën të përdornin minat. Më pas eksplozivet me telekomandë dhe sot kanë evoluar duke u infiltruar brenda policisë e qeverisë afgane. Bashkëpunëtorët tanë që para 20 vitesh kërcënoheshin nga talebanët se do të vriteshin bashkë me familjet e tyre sapo të vinin në pushtet”, tha Deliu.
E fundit! Lefter Koka lë mandatin e deputetit të PS në Durrës (Arsyet)
Flet juristi/ A mundet presidenti i shkarkuar nga Parlamenti, të dekretojë qeverinë e re Rama 3?!
Neni 163 i Kodit Zgjedhor
Shpërndarja e mandateve për kandidatët fitues të listës
1. Menjëherë pas përfundimit të llogaritjes së rezultatit, sipas nenit 162 të këtij Kodi,
KQZ-ja përllogarit shpërndarjen e mandateve për kandidatët fitues për secilin subjekt.
2. Shpërndarja e mandateve fillon me rend zbritës, në bazë të renditjes së tyre në
listën e dorëzuar sipas nenit 67 të këtij Kodi, duke filluar nga numri rendor një, si dhe
numrit të votës parapëlqyese të secilit kandidat bazuar në procedurat dhe kriteret vijuese.
3. Në fillim përfitojnë mandat kandidatët që kanë marrë një numër votash
parapëlqyese më të madh se herësi që del nga pjesëtimi i numrit të votave të subjektit me
numrin e mandateve të fituara nga subjekti, sipas nenit 162 të këtij Kodi. Në çdo rast, herësi
nuk mund të jetë më shumë se 10 000 vota. Në rast se herësi që përftohet nga pjesëtimi
është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt.
4. Kandidatët me numrin më të lartë të votave parapëlqyese se herësi, sipas pikës 3
të këtij neni, zëvendësojnë me radhë kandidatët në listë, që mund të kishin përfituar
mandate, të cilët kanë numrin më të vogël të votave parapëlqyese.
5. Ky rregull nuk zbatohet nëse kandidati me më pak vota i përket gjinisë më pak të
përfaqësuar. Në këtë rast zëvendësimi kalon te kandidati tjetër i renditur menjëherë më lart
me numër votash deri në shterimin e listës sipas të njëjtave kritere. Kur kandidati me numër
më të madh votash se herësi i përket të njëjtës gjini, zbatohen parashikimet e pikës 4 të këtij
neni.
6. Pas shterimit të zëvendësimit të kandidatëve sipas pikës 3 dhe 4 të këtij neni,
shpërndarja e mandateve vijon me kandidatët e mbetur sipas numrit rendor të listës.
7. Kandidatët e mbetur të listës, që nuk përfitojnë mandate sipas pikave 2 deri 6 të
këtij neni, rirenditen në bazë të numrit të votave parapëlqyese duke filluar nga numri më i lartë i votave. Kur numri i votave është i barabartë, renditja përcaktohet me short.
Rirenditja sipas kësaj pike përdoret në zbatimin e nenit 164 të këtij Kodi.
8. Përllogaritja dhe shpërndarja e mandateve, sipas nenit 162 dhe këtij neni, për çdo
zonë zgjedhore miratohet me vendim. Vendimi nxirret për çdo zonë zgjedhore më vete.
Ndaj vendimit mund të bëhet ankim administrativ në KAS.