E pazakontë! Betimi para presidentit të “shkarkuar”, Ilir Meta

Kryeministri Edi Rama dhe ministrat e kabinetit të ri janë betuar sot te Presidenti Meta, për të nisur punën për mandatin e tretë qeverisës. Menjëherë pas betimit, Rama nuk ka humbur kohë, duke zhvilluar në kryeministri mbledhjen e parë të qeverisë së re.
Në pamjet e publikuara nga Presidenca shihet kryeministri Edi Rama, i cili betohet me dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, ndërsa në një tjetër shihet me presidentin Ilir Meta, teksa i jep letrën e dekretit.
Mediat u ndaluan të ishin në këtë eveniment edhe vetë Rama nuk e transmetoi në faqen e “Facebook” të tij. Gjithçka u bë në fshehtësi dhe zgjati vetëm pak minuta më pas, Rama dhe ministrat u nisën në këmbë drejt kryeministrisë.
Por le të rikthehemi pak muaj më parë Kryeministri Edi Rama gjatë fushatës së 25 prillit tha se duhet të çojnë Ilir Metën në shtëpi duke e cilësuar atë si turpin më të madh që Shqipëria ka pasur në krye të vendit. Rama asokohe shtoi se ai që voton Ilir Metën turpëron të gjallë dhe të vdekur.
Pjesë nga fjala e Ramës:
“Të mendosh sot për fëmijët do të thotë të mendosh edhe për vajzën e Ilir Metës që siç thotë edhe vetë ai ajo i lutet Babi mos pi, hajde në shpi. Më 25 Prill çoni në shtëpi Ilir Metën. Ilir Meta duhet të shkojë në shtëpi sepse është turpi më i madh që Shqipëria ka pasur në krye. Ai turp duhet të zhbëhet më 25 Prill. Ai që voton Ilir Metën turpëron të gjallë e të vdekur në shtëpinë e tij. I ka lëshuar pëllumba e sorra prapa”, tha Rama.
Nuk u mjaftua vetëm me kaq në fundin e kësaj legjislature mazhoranca dhe opozita parlamentare shkarkuan me 104 vota PRO presidentin Meta dhe e dërguan në gjykatën kushtetuese. Çekiçi i kushtetueses ka fatin politik të Ilir Metës nëse ai do ta mbyll mandatin e tij apo jo.
Vetë Ilir Meta deklaroi para zgjedhjeve se nuk do ta dekretonte Edi Ramën kryeministër nëse do fitonte zgjedhjet, por sot ka bërë detyrën.
Gjithçka u harrua edhe nga pamjet e publikuar pasi kishte mbaruar, Edi Rama kryeministër dhe Ilir Meta president u takuan sërish dhe kësaj radhe në po të njëjtat pozicione.
Pamjet me video brenda institucionit të presidencës janë bërë publike. Rama dhe ministrat janë ‘betuar’ secili më radhë, duke vendosur dorën mbi Kushtetutë e më pas kanë marrë dekretin nga presidenti Ilir Meta. Mes Ramës dhe Metës nuk ka pasur asnjë kontak, fjalë apo përshëndetje me duar.
A është politika K…?. Siç e dëgjojmë çdo ditë në vendin tonë dhe kjo vërtetohet fare mirë nga lëvizjet e politikanëve tanë. Të cilët për pushtet janë gati të harrojnë çdo gjë edhe pse para pak kohësh ata nuk lanë gjë pa i thënë njëri tjetrit duke i përmendur dhe familjet./Gazeta Shqip