FSK-ja mund të shkojë në veri me “pëlqimin e Komandantit të KFOR-it”

Misioni i Aleancës Veriatlantike për ruajtjen e paqes dhe sigurisë, KFOR, nuk përjashton mundësinë e pranisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri të vendit, nëse do të merrte pëlqimin e Komandantit të KFOR-it, të drejtuar nga NATO.
Kjo pasi marrëveshja e vitit 2013 midis Kosovës dhe NATO-së, në bazë të së cilës Forca e Sigurisë e Kosovës nuk duhet të vendoset në veriun e banuar me shumicë serbe të Kosovës pa pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it, mbetet në fuqi.
Aktualisht Njësia Speciale e Policisë së Kosovës po mbikëqyre veprimet e serbëve lokal që bllokuan pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, pas vendimit të autoriteteve kosovare për reciprocitet me targa për shtetasit e Serbisë.
KFOR-i si pjesë të misionit të saj vazhdon të ketë zhvillimin e FSK-së, dhe duke patur këtë mision, ata janë pyetur rreth pranisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri.
“Ndër institucionet vendore që merren me sigurinë në Kosovë janë Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës. Policia e Kosovës operon në të gjithë Kosovën. Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës janë pjesë e Policisë së Kosovës. Në përputhje me marrëveshjen e përmendur, Forca e Sigurisë së Kosovës mund të vendoset në Kosovën veriore vetëm me pëlqimin e Komandantit të misionit të KFOR-it të drejtuar nga NATO. Ne presim që institucionet vendore të vazhdojnë të veprojnë në përputhje me atë marrëveshje”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.
Kujtojmë që dy pikat kufitare Kosovë-Serbi në veri të Kosovës, po vazhdojnë të qëndrojnë të bllokuara tash e pesë ditë. Nata e së enjtes ka kaluar pa incidente, ndërsa Policia e Kosovës po vazhdon të qëndrojë në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.