“Kurbani” i 5 qershorit? Basha heq Bylykbashin nga reforma zgjedhore

Pas më shumë se një dekade, Oerd Bylykbashi nuk do të jetë më njeriu i negociatave nga opozita për reformën zgjedhore dhe mbi të gjitha i mandatuari i PD-së për të ulur në një tryezë me Partinë Socialiste.

Sinjali i kësaj lëvizjeje për largimin e njeriut të besuar të PD-së, për reformën zgjedhore u dha që dje, kur kryedemokrati Lulzim Basha nuk u shfaq në takimin me shefin e ODIHR në krah të Oerd Bylykbashit, por me Gazment Bardhin dhe Enekelejd Alibeajn.

Basha takimi me shefen e misionit OSBE/ODIHR

Në çdo takim të mëparshëm dhe në çdo negociatë politike me kundërshtarin politik, PS-në, demokratët kishin një emër atë të Oerd Bylykbashit. Ai do të ishte prezent edhe në tryezën e nivelit të lartë të negociatave mes Ramës dhe Bashës në Pallatin e Kongreseve në vitin 2016 për reformën në drejtësi.

Pikërisht duket se Pallati i Kongreseve shërbeu që Bylykbashi të jetë “kurbani” i PD për shmangien nga reforma zgjedhore. Kjo lidhet me faktin se Bylykbashi ishte njeriu që udhëhoqi bisedimet me socialistët që u pagëzua me atë të si Pakti i 5 qershorit të arritur nëpërmjet Këshillit Politik, e sigurisht me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve. Ky këshill përbëhej nga Damian Gjiknuri i PS, Oerd Bylykbashi i PD-së, Petrit Vasili i LSI dhe demokratja Rudina Hajdari.

Një negociatë e vështirë që u arrit me ndërkombëtarët, pasi PD-ja nuk ishte në Parlament, e Këshilli Politik me seli në Pallatin e Kongreseve. Por ky pakt do të devijohej rrugës, ku PS-ja do të ndryshonte Kushtetutën, si edhe Kodin Zgjedhor, që u pasua me prekjen e formulës së koalicioneve. PD-ja e kundërshtoi atë ashpër, por pavarësisht kësaj ato morën pjesë në zgjedhjet e 25 prillit.

Bylykbashi “kurban” i 5 qershorit apo i përplasjeve brenda PD-së?

Oerd Bylykbashi që në fillimet e tij karrierës e nisi si ekspert i OSBE-së në Tiranë për çështjet zgjedhore. Ai dhe diplomën e ka mbrojtur me temën temën e diplomës “Zgjedhjet dhe sistemet zgjedhore”. Më pas ai u bashkua politikës dhe ishte njeriu kyç për reformën zgjedhore brenda PD-së. Ai do të zëvendësonte Ilir Rusmalin, i cili u mënjanua nga Berisha. Por sot, Bylykbashi nuk ka asnjë rol në reformën zgjedhore, në negociatat që pritet të nisin me PS-së. PD-ja sot depozitoi nismën për ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e 25 prillit, e ku kryetar i propozuar nga PD-ja do të jetë Enkelejd Alibeaj, i rikthyer si i besuari i Bashës.

Por spostimi i Bylykbashit mund të lidhet edhe me faktin se ai tashmë në përplasjet mes Bashës dhe Berishës, po mban anën e ish-kryeministrit. Qëndrimi i tij mund të lidhet edhe me spostimin e Bashës, por Bylykbashi ishte i pranishëm në takimin e djeshëm të zhvilluar nga Berisha në qytetin e Durrësit, ashtu si edhe Edi Paloka.

“Ne mund të ndërrojmë sa të duam sisteme zgjedhore, por po nuk u demokratizuan partitë nga brenda, nuk do të ketë ndryshim të politikës dhe është e kotë të kërkojmë demokraci në qeverisje. Nëse të prishet motori i makinës nga karburanti mos ndërro makinën, por kompaninë e karburantit. Sa kohë partitë nuk do të demokratizohen në mënyrën si marrin vendimet dhe njëshi bën ligjin, nëse do të ndodhte tek ne ajo që ndodhi në Britani, do të ishte e sigurt që kjo do të çonte në anatemimin dhe largimin e deputetëve rebelë dhe jo që qeveria, lidershipi apo “i madhi” të ndërronin qëndrim. Më 8 dhjetor 1990 nuk kërkuam demokracinë e liderit, por demokracinë e individëve të lirë. Ndaj kjo që ndodhi në Britani është shumë larg. Jo në kilometra por në vite. 8 dhjetori po vjen sërish për të na kujtuar që “diku u ngatërruam dhe shtegu na çoi teposhtë”.  Nuk vazhdohet më kështu! Le ta ndryshojmë të gjithë bashkë!”, shkruante Bylykbashi në një status në rrjetet sociale përpara takimit të Berishës në Durrës./Gazeta Shqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT