Kush e ka radhën? Yuri Kim reagon pas dënimit të Llallës: Të goditen zyrtarët, pavarësisht sa të fuqishëm janë

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit, për të dënuar përfundimisht me 2 vite burg,  ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla.

Diplomatja e SHBA nxit prokurorët që të ndërmarrin veprime kundër zyrtarëve, pa marrë parasysh sa të lartë apo të fuqishëm janë ata.

“Është mirë të shihet drejtësia e vënë kundër zyrtarëve të korruptuar. Prokurorët duhet të vazhdojnë të ndërmarrin veprime kundër zyrtarëve, pa marrë parasysh sa të lartë apo të fuqishëm janë, të cilët keqpërdorin pozitën e tyre për t’u pasuruar. Askush nuk është mbi ligjin”, shkruan Kim.

Kujtojmë se Adriatik Llalla, prej shkurtit 2018 është “non grata” në SHBA, pasi DASH i ka ndaluar hyrjen në SHBA atij dhe familjarëve.

Veç dënimit me dy vjet burg, Gjykata vendosi edhe konfiskim të pasurive, gati 22 mijë metra katrorë truall dhe një apartament në Durrës./ Gazeta SHQIP

Back to top button
LAJMET E FUNDIT