Letra e urimit! Albin Kurti fton Ramën në Kosovë, ja si i përgjigjet kryeministri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka dërguar një letër urimi kryeministrit Edi Rama për krijimin e qeverisë së re. Në letrën e tij, Kurti shkruan se ky mandat i tretë i Ramës, është po ashtu mundësi e tretë për të realizuar projekte që priten nga shqiptarët në të dy anët e kufirit. Kurti tregohet i gatshëm për të bashkëpunuar për të rritur bashkëpunimin ekonomik dhe shkëmbimit tregtar.
“Ky mandat i tretë është po ashtu mundësi e tretë për të realizuar projekte të cilat kaherë priten nga shqiptarët në të dy anët e kufirit. Rritja e bashkëpunimit ekonomik dhe e shkëmbimit tregtar dhe integrimi i tregut duke hequr barrierat mes shqiptarëve në radhë të parë paraqesin mundësi të shkëlqyer, për realizimin e të cilave qeveria ime dhe unë mbetemi në gatishmëri të plotë”, shkruan Kurti.
Po ashtu ai ofron mbështetje në përballimin e pandemisë së COVID-19.
“Mandati juaj i tretë vjen në një kohë me plot sfida. Përballja me COVID-19, rimëkëmbja e ngritja ekonomike dhe zhvillimi e konsolidimi i institucioneve demokratike janë vetëm disa nga sfidat të cilat kërkojnë angazhimin tuaj maksimal. Sfida këto në të cilat, Republika e Shqipërisë mund të llogarisë në mbështetjen e pa rezervë të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thotë kryeministri i Kosovës.
Kurti fton Ramën që të vizitojë Kosovën, për të zhvilluar më pas një mbledhje të përbashkët të të dy qeverive.
“Duke ju uruar suksese gjatë mandatit tuaj qeverisës dhe me kënaqësinë që shkëlqesia juaj të vizitojë Kosovën në një kohë të përshtatshme për Ju, e të fillojmë përgatitjet për mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive, pranoni përshëndetjet më të sinqerta dhe konsideratën më të lartë”, thuhet në letrën dërguar Ramës.
Letra e plotë e Kryeministrit Kurti:
Shkëlqesia Juaj,
Me rastin e zgjedhjes suaj për herë të tretë Kryeministër i Republikës së Shqipërisë pranoni ju lutem urimet më të përzemërta në emrin tim dhe të Qeverisë së Kosovës.
Mandati juaj i tretë vjen në një kohë me plot sfida. Përballja me COVID-19, rimëkëmbja e ngritja ekonomike dhe zhvillimi e konsolidimi i institucioneve demokratike janë vetëm disa nga sfidat të cilat kërkojnë angazhimin tuaj maksimal. Sfida këto në të cilat, Republika e Shqipërisë mund të llogarisë në mbështetjen e pa rezervë të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ky mandat i tretë është po ashtu mundësi e tretë për të realizuar projekte të cilat kaherë priten nga shqiptarët në të dy anët e kufirit. Rritja e bashkëpunimit ekonomik dhe e shkëmbimit tregtar dhe integrimi i tregut duke hequr barrierat mes shqiptarëve në radhë të parë paraqesin mundësi të shkëlqyer, për realizimin e të cilave qeveria ime dhe unë mbetemi në gatishmëri të plotë. Unë jam me shpresë se në këtë mandat Shqipëria do të shoh progres të gjithanshëm. Së bashku mund të punojmë në avancimin e parimeve demokratike, në luftimin e krimit dhe korrupsionit, të evazionit fiskal e informalitetit në të dy anët e kufirit dhe të angazhohemi për më shumë drejtësi dhe të drejta e për më shumë barazi e mirëqenie për shqiptarët në gjithë rajonin. Kosova dhe qytetarët e saj i gëzohen tej mase zhvillimit dhe progresit të Shqipërisë të cilën e kanë përherë në mendje dhe zemër. Në Shqipëri, Kosova dhe shqiptarët kudo në rajon e në botë shohin më shumë se përkrahësin e natyrshëm në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe zhvillimit të gjithmbarshëm të tyre. Duke ju uruar suksese gjatë mandatit tuaj qeverisës dhe me kënaqësinë që shkëlqesia juaj të vizitojë Kosovën në një kohë të përshtatshme për Ju, e të fillojmë përgatitjet për mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive, pranoni përshëndetjet më të sinqerta dhe konsideratën më të lartë”.
Kryeministri Edi Rama i ka kthyer përgjigje homologut të tij kosovar, Albin Kurti në lidhje me urimin e këtij të fundit për mandatin e tretë qeverisës, por edhe ftesën publike që i bëri për të vizituar Kosovën.
Përmes një mesazhi në Twitter, Rama theksoi se kur të kthehej nga Asambleja e OKB-së do të vizitonte me shumë kënaqësi Kosovën.
MESAZHI I RAMES
Faleminderit
! Patjetër do ta vizitoj me shumë kënaqësi Kosovën, me t’u kthyer nga Asambleja e OKB! Le t’ia nisim menjëherë me përgatitjen e Mbledhjes së Përbashkët. Uroj megjithë zemër dhe kam besim se do të bëjmë plot punë të mira në dobi të të dy shteteve tona??????/Gazeta Shqip