Mashtrimi 2 miliard dollarë/ Arrestimi i shqiptarit që ndihmoi bosin e kriptomonedhave turke, policia: Bashkëpunonte me Faruk Ozer

Policia shqiptare ka reaguar për arrestimin e shtetasit Edevaldo Haxhiu, i cili akuzohet se ka ndihmuar bosin e kriptomonedhave turke, Faruk Ozer.
Për lajmin që u publikua fillimisht në mediat turke, policia konfirmon se është vënë 36-vjeçari Edevaldo Haxhiu për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mashtrimi kompjuterik”.
Mësohet se Edevaldo Haxhiu nuk ka folur në hetimin policor dhe nuk i ka pranuar akuzat, duke thënë se nuk e njihte Fatih Ozerin. Më tej ai argumentoi se akuzat se ai ndihmoi Ozerin e arratisur nuk ishin të vërteta.
Njoftimi i Plotë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Gjurma”.
Vihet në pranga 1 shtetas, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mashtrimi kompjuterik”.
Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Gjurma”.
Pas një hetimi të nisur në vitin 2021, nga autoritetet ligjzbatuese turke dhe pas veprimeve hetimore të ndërmarra, duke vlerësuar maksimalisht situatën kriminale të krijuar, Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka regjistruar një procedim penal dhe ka kryer veprime të vazhdueshme dhe të thella në lidhje me verifikimin dhe ndjekjen penale të disa shtetasve, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mashtrimi kompjuterik”.
Pas kryerjes së hetimeve, Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike, ka ndaluar shtetasin:
Edevaldo Haxhiu, 36 vjeç, banues në Tiranë.
Situata kriminale e ndjekur nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, kishte të bënte me dyshime të arsyeshme se disa shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprime me qëllim ngritjen e një skeme të mashtrimit nëpërmjet krijimit dhe shitjes së monedhave virtuale nëpërmjet platformave të krijuara për këtë qëllim, duke rezultuar në mashtrimin e një numri të madh shtetasish të huaj (deri më tani).
Gjithashtu, nga informacionet e marra, vlera e mashtrimit që shtetasi turk F. O. ka kryer si autori kryesor i kësaj vepre është rreth 2 miliard dollarë.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se ka dyshime të forta dhe të arsyeshme se shtetasi Edevaldo Haxhiu ka kryer veprime aktive, me qëllim që të ndihmonte shtetasin turk F. O., për t’iu shmangur organeve ligjzbatuese, duke e transportuar dhe e fshehur atë.
Aktualisht po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal, evidentimin e personave të tjerë të implikuar në këtë skemë kriminale dhe vendosjen e tyre përpara drejtësisë.
U kryen veprimet procedurale përkatëse dhe materialet hetimore u dërguan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe procedurale, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mashtrimi kompjuterik”./Gazeta SHQIP