Nga dekretet tek betimi në presidencë/ Procedurat për qeverinë e re “afrojnë dy armiqtë”, çfarë parashikon ligji

Presidenti Ilir Meta dekretoi sot Edi Ramën kryeministër të Shqipërisë, për të formuar kështu qeverinë e re, të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit. Në dekretin e kreut të Shtetit thuhet se, ky vendim merret në zbatim të kushtetutës në bazë të rezultatit të KQZ-së për zgjedhjet e 25 prillit, ku PS mori mandatin e tretë qeverisës radhazi.
Vendimi i Ilir Metës, erdhi disa ditë pasi socialistët propozuan zyrtarisht përmes një kërkese drejtuar presidentit, Edi Ramën si kryeministër.
Çfarë parashikon ligji, procedurat për qeverinë e re?
Sipas nenit 96, presidenti i republikës në fillim të legjislaturës emëron kryeministrin me prozim të partisë ose koalicionit që ka shumicën në parlament. Duke qenë se PS i ka votat e vetme, pikat e tjera të këtij neni nuk aplikohen në këtë rast.
Më pas, sipas nenit 97, brenda 10 ditëve kryeministri i mandatuar i paraqet Kuvendit programin qeverisës dhe emrat e kabinetit të ri.
Neni 98 parashikon se pas miratimit nga parlamenti qeveria e re shkon për dekretim brenda 7 ditëve tek presidenti i republikës , në këtë rast, tek Ilir Meta.
Ndërsa neni 99 detyron kryeministrin, zv.kryeministrin dhe ministrat të betohen tek presidenti, para se të marrin zyrtarisht detyrën.
Betimi tek presidenti i shkarkuar
Si kurrë më parë në historinë e shtetit shqiptar, kemi një qeveri të dekretuar nga një president i shkarkuar, si dhe një kabinet qeverisës që betohet para një presidenti që nuk e njeh, pasi e ka shkarkuar disa muaj më parë.
Sigurisht, vendimi nuk është përfundimtar, pasi do jetë Gjykata Kushtetuese, ajo që do vendosë mbi fatin politik të Ilir Metës. Vendimi gjithashtu do tregojë nëse kemi një shkarkim të drejtë nga maxhoranca, apo një “akt qesharak” për arsye të luftës politike.
Gjithsesi, palët duket se kanë vendosur të zbatojnë Kushtetutën. Ishte fillimisht kreu i shtetit që dekretoi Edi Ramën si kryeministër, ndërsa edhe ky i fundit ka deklaruar që do paraqitet për t’u betuar tek presidenti që shkarkoi me votë dhe që e quan “turpi më i madh i vendit”./Gazeta SHQIP