Një polici për të mbrojtur turistët në male/ Çuçi: Do të na ndihmojë Austria

Shqipëria synon që të krijojë një polici sipas modelit austriak për t’u ardhur në ndihmë në rast nevojë turistëve që shpesh bllokohen, apo humbasin orientimin në malet shqiptare.
Ideja është njoftuar nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, që thotë se në krijimin e kësaj strukture do të japë ndihmë edhe Austria.
“Me ministrin Federal të Punëve të Brendshme të Austrisë, Karl Nehammer, gjatë takimit të sotëm në Tiranë folëm edhe për asistencën që ata mund të na japin për të krijuar skuadrën e Policisë Alpine në Policinë e Shtetit”, thotë Çuçi.
Ministri i Brendshëm është takuar me homologun e tij austriak. Ai e cilëson të nevojshme ngritjen e kësaj strukture brenda Policisë së Shtetit, nisur nga fakti që malet e Shqipërisë po preferohen, sipas tij, gjithnjë e më shumë nga turistët e huaj.
“Gjithmonë e më shumë zonat malore të Shqipërisë po preferohen nga turistët, përfshi edhe ata nga Austria. Alpet tona janë një destinacion mjaft i frekuentuar nga turistët gjatë gjithë vitit. Besoj se ka ardhur momenti që këtij realitet të ri të krijuar në këto zona t’i qasemi në një formë tjetër edhe përmes shërbimit policor”, shkruan Çuçi.