“Nuk ia jap firmën për kryeministër Edi Ramës, jap dorëheqje”! Si e uli “kokën” presidenti Meta dhe pranoi zgjedhjet e 25 prillit

Kuvendi me deputetët e rinj të zgjedhur më 25 prill do të mblidhet më 10 shtator. Presidenti Ilir Meta ka dekretuar sot datën, ku ka thirrur edhe mbledhjen e seancës, për legjislaturën e re.
Mësohet se seanca është parashikuar që të nis në orën 10:00. Kujtojmë se në zgjedhjet e 25 prillit, PS-ja arriti që të siguronte 74 mandate, ndërkohë që PD-ja, 59 dhe LSI, 4.
Presidenti Ilir Meta para zgjedhjeve të 25 prillit ka deklarur se nuk t’ia japë fimrën për kryeministër Edi Ramës, edhe nëse ky i fundit merr mandatin e tretë, pa cënuar zgjedhjet e lira. I ftuar në një emision televiziv, Meta tha se ai nuk do t’ia japë firmën për kryeministër, por do t’i dorëzojë dorëheqjen e tij. Presidenti shtoi se do ta respektojë vendimin e popullit dhe do të dalë në shesh, duke dorëzuar zyrën.
“Deri tani zgjedhjet janë cënuar rëndë vetëm nga Edi Rama. Unë apeloj nga ky moment që të gjithë të reflektojnë, në mënyrë që të lejojmë shqiptarët të shprehin vullnetin e tyre të lirë. Nëse ai merr 71 mandate, unë firmë për kryeministër nuk i jap, por do i jap dorëheqjen time. Unë e respektoj vendimin e popullit. Unë dal në bulevard dhe ia lë zyrën atij,”- tha Meta.
Por presidenti duket se nuk e ka mbajtur fjalën, ai as nuk dha dorëheqje dhe as nuk dorëzoi zyrën por pranoi rezultatin dhe iu bind kushtetutës. Presidenti i para zgjedhjeve me Metën e tanishëm duken dy botë të ndryshme, por rezultati zgjedhor bëri që presidenti të ulte kokën dhe të pranonte vendimin e sovranit.
DEKRETI
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
PRESIDENTI
DEKRET
PËR THIRRJEN E MBLEDHJES SË KUVENDIT TË PORSAZGJEDHUR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 65 pika 1, 67 pika 1, dhe 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, pas zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë të datës 25.04.2021, rezultati përfundimtar i të cilave është shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes Vendimit nr. 21, datë 13.07.2021, të Komisionit Rregullator, si dhe në kushtet kur Legjislaturës së IX-të të Kuvendit, i përfundon mandati në datën 09.09.2021,
Dekretoj:
Neni 1
Ditën e premte, në datë 10 shtator 2021, ora 10:00, thirret për t`u mbajtur mbledhja e parë e Legjislaturës së X-të të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Neni 2
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.
Nr. Dekretit 13207
Tiranë, më 01.09.2021
PRESIDENTI I REPUBLIKËS
ILIR META
Kujtojmë se fati i Metës për të vijuar të qëndrojë në Presidencë është në dorën e Gjykatës Kushtetuese, e cila do të marrë vendimin, nëse vendimi i Parlamentit për shkarkimin e tij është i drejtë ose jo./Gazeta Shqip