Përplasja për “Open Balkan”/ Kurti zbulon takimet me Ramën: Nuk biem dakord për këtë temë, por…

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mohuar që të ketë krisje në marrëdhëniet me Edi Ramën, pavarësisht se dy liderët e shteteve shqiptare janë përplasur vazhdimisht, kryesisht për nismën e “Shengenit Ballkanik” e pagëzuar më pas “Open Balkan”
Gjatë një deklarate për mediat pas takimit që pati me kancelaren Angela Merkel, Kurti tha se komunikon dhe bashkëpunon vazhdimisht me Ramën, të cilin e ka takuar disa herë.
‘’Herën e fundit kur kemi biseduar ishte para dy javësh në Bled të Sllovenisë ku ishim bashkë. Jemi takuar edhe në Tiranë, Dhërmi. Vazhdimisht takohemi. Ajo që është e përbashkët midis neve, është shumë më e madhe. Nuk biem dakord për Ballkanin e Hapur, çfarë të bëjmë tani. Për gjëra të tjera jemi në komunikim dhe bashkëpunojmë.’’- tha Kurti./Gazeta SHQIP