Prova e parë e zjarrit/ PS i çon letër Metës: Mandato Ramën si kryeministër

Partia Socialiste i ka dërguar një letër zyrtare presidentit Ilir Meta, i cili i kërkon që të mandatojë kryesocialistin Edi Rama për postin e kryeministrit.
Në këtë shkresë kërkesa bazohet sipas nenit 96 të Kushtetutës. “Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend. 2. Në qoftë se Kryeministri i emëruar nuk miratohet nga Kuvendi, Presidenti emëron një Kryeministër të ri brenda 10 ditëve. 3. Në qoftë se edhe Kryeministri i emëruar rishtas nuk miratohet nga Kuvendi,brenda 10 ditëve Kuvendi zgjedh një Kryeministër tjetër’, thuhet në nenin 96 të Kushtetutës.
Më tej theksohet se “Në këtë rast Presidenti emëron Kryeministrin e ri”. “Kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Kryeministrin e ri, Presidenti i Republikës shpërndan Kuvendin”, thuhet në pikën katër.
Më tej në nenin 97 përcaktohet se Kryeministri i emëruar sipas nenit 96, nenit 104 ose 105, i paraqet për miratim Kuvendit, brenda 10 ditëve, programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen e tij.
Hapi i PS-së lidhet menjëherë pasi presidenti Ilir Meta nxori dekretin për të mbledhur Parlamentin e ri më 10 shtator. Tashmë pritet të shihet se si do të veprojë presidenti në lidhje me këtë propozim.
Kjo pritet të jetë edhe prova e parë e zjarrit, pasi partia që votoi për shkarkimin e presidentit në Parlament, i kërkon kreut të shtetit të dekretojë kryesocialistin si kryeministër dhe të formojë qeverinë.
Gjatë një interviste në emisionin ‘Opinion’ , kryeministri Rama do të deklaronte dy ditë më parë se për aq kohë sa Meta do të jetë në zyrën e Presidentit, qeveria e re e mandatit të tretë radhazi të socialistëve do të betohej para tij.
Ky reagim erdhi pasi, Partia Socialiste ngriti një Komision Hetimor për shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit, menjëherë pas fitores në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit duke e konsideruar antikushtetues rolin e tij para, gjatë dhe pas fushatës elektorale në dëm të PS dhe në mbështetje të opozitës.