Shpallja ‘non grata’ dhe përjashtimi i Berishës, Bardhi e pranon: Jemi thirrur në ambasadën e SHBA

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi pranoi se disa deputetë të PD janë thirrur në ambasadën amerikane për t’u njohur lidhur me vendimin për shpalljen “non grata” të Sali Berishës.
Bardhi pranoi në emisionin OPEN se deputetët janë thirrur nga vetë ambasada amerikane, para se Lulzim Basha të merrte vendim për përjashtimin e Berishës nga grupi i PD.
“Po është e vërtetë. Disa deputetë kanë patur kontakt me ambasadën ku janë informuar mbi Sali Berishën. Edhe unë jam thirrur dhe kam patur takim brenda në ambasadë”, tha Bardhi.
Por a u njohën deputetët e PD me fakte kundër Sali Berishës, gjatë takimeve që patën në ambasadën e SHBA?
“Mua nuk më dhanë fakte, për të tjerët se di. Është e vërtetë se disa nga kolëget e PD kanë patur kontakte me përfaqësuesit e ambasadës”, tha Bardhi.
Analisti Andi Bushati e krahasoi këtë situatë me kohën kur votohej reforma në drejtësi dhe e quajti veprimin e ambasadës së SHBA, shantazh dhe presion ndaj opozitës./Gazeta SHQIP