VIDEO/ “Berisha! Berisha!…”, Ish-Kryeministri nis “Foltoren”: Moment kritik për Shqipërinë

Qindra mbështetës kanë pritur me thirrjet “Berisha, Berisha!” ish-Kryeministrin në jashtë dhe brenda sallës së konferencave, ku Berisha thirri një takim me bazën dhe konferencë me mediat.
Berisha ka nisur këtë të enjte turin “Foltorja”, që thotë se synon të rikthejë sovranitetin në Partinë Demokratike përmes një referendumi.
“Foltorja e shtatorit 2021 është përpjekja më e rëndësishme dhe historike e juaja për një parti demokratike më të bashkuar, më të fortë, më të hapur, më të sigurtë në të ardhmen e saj. Kjo foltore nis në një moment më kritik se në çdo kohë tjetër për Shqipërinë. Sot në parlament betohet për të tretën herë kreu i kartelit të Meduzës shqiptare, një njeri që nuk njeh norma, ligj dhe që ndërtoi narkoshtetin e vetëm në Europë”, tha ai.
“Ditë fatkeqësie kur në parlament betohet njeriu që e shndërroi Shqipërinë në dele të Ballkanit dhe të Europës”, tha Berisha.
Berisha kundërshton vendimin e Lulzim Bashës që e përjashtoi nga Kuvendi.