VIDEO/ Lulzim Basha mbyll gojën në Parlament: Nuk flas pa ardhur Edi Rama

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha po refuzon të marrë fjalën në Kuvend. Shkak për këtë është bërë mosprania e kryeministrit Edi Rama.
Më herët, kreu i grupit parlamentar të PD, Alfred Rushaj i kërkoi kryeparlamentares të ndërpritet seanca, në mënyrë që të jetë i pranishëm në sallë edhe kryeministri.
“Propozojmë të ndërpritet seanca, kryeministri të vijë këtu dhe të nisim debatet për çfarë ai propozoi që të ndodhë në katër vitet e ardhshme. Është kushtetuese dhe logjike zonja kryeparlamentare. Propozojmë të ndërpritet seanca dhe kryeministri të dëgjojë zërin e Opozitës.
Po të ishte seancë normale do të zhvillohej nesër. Ose e gjitha që u bë është e pavlefshme, na thatë se kryeministrit duhet të rregullojë axhendën. Tani duhet të vijë në respekt të qytetarëve. Të dëgjojë çfarë mendojnë përfaqësuesit e atyre që kanë votuar”, tha Rushaj.
Kryeparlamentarja Nikolla u shpreh se kërkesa e opozitës nuk mbështetet në ligj.
“Faleminderit vijojmë me rendin e ditës. Fjalën e ka Lulzim Basha. Rregulloja ka përcaktuar vijimësinë e punës së kësaj seance. Nuk ka asnjë nen që i përgjigjet kërkesës tuaj.”, tha Nikolla./Gazeta SHQIP