A mund të bëhet Kosova anëtare e NATO? Mbështetja amerikane përplaset me nenin 5 të Traktatit dhe me katër shtetet anëtare që nuk e njohin

“Qëllimi ynë është të bëhemi pjesë e infrastrukturës globale të sigurisë, të kontribuojmë për paqen”, i tha presidentja Vjosa Osmani Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg gjatë një takimi muajin e kaluar.

Osmani po i referohej shpresave të Kosovës për t’u bërë pjesë e programit të Partneritetit për Paqen të NATO-s.

Ky program është një skemë bashkëpunimi e operuar nga aleanca ushtarake perëndimore që përfshin shtete të ndryshme evropiane dhe euroaziatike.

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, thotë se “orientimi politik dhe strategjik i Kosovës është anëtarësimi në NATO”.

Jeffrey Hovenier, kandidat për postin e ambasadorit të ardhshëm amerikan në Kosovë, deklaroi më 7 tetor se ai mbështet “zhvillimin e vazhdueshëm gradual dhe transparent të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë mbrojtëse territoriale multi-etnike, ndërvepruese të NATO-s”.

“Duke u mbështetur në zbarkimin e parë ndërkombëtar të Kosovës së bashku me forcat amerikane dhe organizimin e parë të stërvitjeve Defender Europe 21, ne mund të ndihmojmë në transferimin e Kosovës nga një konsumator në një  ofrues të sigurisë”, shtoi Hovenier.

Por pavarësisht perspektivës optimiste, pengesat politike nuk do ta lejojnë Kosovën të bëhet anëtare e NATO-s në të ardhmen e afërt, apo  të përfshihet në programin e nivelit më të ulët të Partneritetit për Paqe.

Serbia, e cila deklaron se nuk ka ndërmend të bëhet pjesë e NATO-s, iu bashkua Partneritetit për Paqe në vitin 2006 dhe që atëherë ka bashkëpunuar me këtë aleancë.

Mosnjohja pengesë për anëtarësimin

Një anëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe një oficer i ushtrisë amerikane vëzhgojnë stërvitjen Defender Europe të mbajtur në Kosovë në maj 2021. Foto: BIRN/Urim Krasniqi

NATO ka një prezencë të forcave paqeruajtëse, KFOR, në Kosovë që nga përfundimi i luftës në vitin 1999. Mirëpo, janë katër shtete anëtare të NATO-s të cilat nuk e kanë njohur Kosovën si të pavarur – Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Greqia.

Për sa kohë këto vende nuk e bëjnë një gjë të tillë, nuk do të jetë e mundur që Kosova të anëtarësohet në NATO ose të futet në një marrëveshje për të bashkëpunuar përmes programit të Partneritetit për Paqe.

Neni 5 i traktatit themeltar të NATO-s ruan parimin e mbrojtjes kolektive – “një sulm kundër një aleati konsiderohet si një sulm kundër të gjithë aleatëve”. Ky parim ka dekurajuar prej kohësh vendet anëtare të NATO-s që të pranojnë vende të reja që janë përfshirë në konflikte të pazgjidhura, të tilla si aspirantët e vjetër Ukraina dhe Gjeorgjia.

Që një vend të anëtarësohet, nevojitet që parlamenti i secilit shtet anëtar të NATO-s të miratojë një protokoll aderimi në të cilin zotohet të mbrojë integritetin territorial të shtetit të ri anëtar.

Duke marrë parasysh faktin që këto katër shtete nuk e njohin Kosovën, nuk ka asnjë shans që një protokoll i tillë të miratohet në kuvendet e tyre përkatëse dhe që ata të marrin si detyrim mbrojtjen e territorit të Kosovës në të ardhmen.

Kosova aplikoi për t’u bërë pjesë e Partneritetit për Paqe në vitin 2012, katër vjet pasi shpalli pavarësinë e saj nga Serbia dhe të njëjtin vit që përfundoi edhe mbikëqyrja e Kombeve të Bashkuara mbi Kosovën.

Në atë kohë, Kosova nuk u pranua për arsye që mbeten të njëjta pothuajse një dekadë më vonë.

Në vitin 2016, qeveria e Kosovës bëri përpjekje për të forcuar bashkëpunimin e saj me NATO-n, por ishte Spanja ajo që doli shprehimisht kundër saj.

Zyrtarisht, Kosova aktualisht nuk ka forca të armatosura, mirëpo në vitin 2018 miratoi një ligj që synon ta shndërrojë Forcën e Sigurisë së Kosovës në një ushtri brenda dhjetë viteve.

Megjithatë, NATO dëshiron që Siguria e Kosovës t’i përmbahet mandatit të saj origjinal nga viti 2009, e cila e përkufizon atë si një “forcë e katastrofës emergjente”, për shkak të pikëpamjeve të shteteve anëtare të aleancës që nuk e njohin.

Çdo shtet anëtar i NATO-s ka të drejtën e vetos, gjë që e bën edhe më të pamundur që Kosovës t’i jepet një Plan Veprimi për Anëtarësim i cili përcakton hapat e nevojshëm që një vend të bëhet përfundimisht një anëtar i plotë i NATO-s.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT