“Bashës iu kërkua që në 2017 të largonte Berishën”/ Agim Baçi zbulon prapaskenat e fushatës së 4 viteve më parë

Agim Baçi, kandidat i Partisë Demokratike për zgjedhjet e 25 prillit në Qarkun e Durrësit ka deklaruar se Lulzim Bashës i është kërkuar që në vitin 2017 largimi i Sali Berishës.

Baçi ka folur gjatë një interviste dhënë për televizionin ABC. Ai u shpreh se një kompani izraelite që ishte kontraktuar nga PD për të realizuar fushatën e zgjedhjeve parlamentare të atij viti i kërkoi Bashës që të largonte Berishën nga lista e kandidatëve për deputetë.

Kërkesa ishte bërë pasi kompania, sipas Baçit, kishte zhvilluar një sondazh në publik dhe e kishte kushtëzuar këtë kërkesë me pranimin ose jo që të realizonte fushatën e PD.

Siç koha tregoi, Basha nuk e largoi Berishën në atë kohë dhe për kushtin e izraelitëve, sipas Agim Baçit ishte në dijeni edhe Sali Berisha.

“Lulzim Basha nuk pranoi dhe kompania u largua. Ish-kryeministri Berisha ishte në dijeni dhe kur e pyeti Bashën se përse ikën izraelitët, lideri aktual i PD-së i tha “nuk pranova që të largoja ty nga lista”, deklaroi Baçi.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT