“Bëhu burrë të paktën njëherë” Rama i përgjigjet Bashës: Të ka “mbirë” fjala hajdut në majë të gjuhës

Kuvend– Duke iu përgjigjur akuzave të kryedemokratit Lulzim Basha, kreu i qeverisë Edi Rama nga foltorja e Kuvendit citoi një frazë nga Kanti duke thënë se ai që të akuzon për diçka mund ta ketë bërë vetë.
Rama u shpreh se Basha duhet të bëhet të paktën njëherë burrë dhe të matet mirë para se të nxjerrë gjuhën për të folur për diçka. Në lidhje me akuzat për procesin e rindërtimit, Rama u shpreh se në çadra janë 400 familje që presin që shumë shpejt të futen në banesat e rindërtuara.
“Kanti thotë se kur dikush të akuzon për diça, ndoshta e ka bërë vetë. Zotëria më dha një mundësi për shkak të paaftësisë së tij në raport me shifrat që unë të përgjigjem thjesht. Po sikur fondet e vëna në dispozicion të shkollave nga BE në raport me fonde e vëna në dispozicion nga qeveria të rezultojnë më të larta në shpenzim për investim se fondet e qeverisë, çfarë duhet të bëjmë me gjithë këtë çarçaf. Po sikur investimet e qeverisë në aspektin e kostos të jenë më të ulëta se ato të BE me të njëjtat standarde, çfarë i mbetet parafolësit.
Bëhu burrë dhe mos hajde këtu të flasësh me dëngla por hajde me argumente. Nuk e di ku i sheh ti ata që gdhihen në çadra sepse ti zgjohesh shumë vonë. Dhe kur zgjohesh ti ata janë në punë. Në çadra sot janë 400 familje. Mund të shkosh të kërkosh dhe të gërmosh nëse nga ata që janë në çadra, nëse ka ndonjë familje që nuk merr bonusin e qirasë. Ata rrinë në çadra sepse ndryshe nga ti punojnë, nuk i ka mbajtur njeri në krah me vite të tëra, duke i prezantuar sikur po bëjnë atë që ti ke bërë sikur e ke bërë”, tha kryeministri Edi Rama.