Berisha vetëshpallet si “shpëtimtari” i Kosovës, pas SHBA-ve sfidon gjithë botën

LEZHA– SHBA e shpalli “non grata” për korrupsion madhor, por ish-kryeministri Sali Berisha vazhdon të insistojë se “është i pastër”.
Nga Lezha, Berisha tha se ka marrë informacion mbi dosjen e DASH dhe sipas “burimeve” të tij, nuk ka asnjë fakt që e implikon.
“Po u mashtrojnë teksa tentojnë që ta prezantojnë “Foltoren” si një interes personal i Sali Berishës, të lidhur me vendimin e DASH për shpalljen time “non grata”. Është e pavërtetë. Ai vendim është i bazuar në shpifje, prandaj e mbajta atë vendim si personal dhe u drejtova në gjykatë. Padita për shpifje atë që firmosi vendimin. Jo vetëm që gjykatësi ka pranuar shqyrtimin e padisë, por miq të mi më kanë njoftuar se ajo dosje ka zero fakte, zero dokumente dhe zero prova”, tha Berisha.
Ndërsa sfidoi SHBA-të, Sali Berisha e shpalli edhe vetën si shpëtimtari i Kosovës nga plani i George Soros për ta ndarë.
“Ftoj Blinken dhe cilindon shtetar apo institucion dhe mbarë botën, që çdo fakt ta çojë në sallën e gjyqit në Paris. E kam pyetur vetën pse e mori këtë vendim ndaj meje. Për 8 vitë kisha fuqi vetëm në Facebook dhe Parlement, askund tjetër. Por me fjalën time kisha prishur plane të mëdha të George Soros për ndarjen e Kosovës”, tha Sali Berisha/Gazeta SHQIP