Ditari i Hoxhës: Interesimi i SHBA për marrëdhëniet diplomatike, Kosova në bisedimet me Bonin, dhe çështja e arit që iu grabit Shqipërisë nga anglezët

Nga Xhevdet Shehu – Botuar në DITA
Në këtë pjesë të dytë të pjesëve të zgjedhura të ditarit sekret të Enver Hoxhës, i cili lexohej nga një rreth shumë i ngushtë njerëzish shumë të besuar në Komitetin Qendror të Partisë sikurse ishin anëtarët dhe kandidatët e Byrosë Politike, përshkruhen hapat që janë hedhur në fillimet e bisedimeve me gjermanoperëndimorët për të lidhur marrëdhënie diplomatike.
Është koha kur Shqipërinë nuk e kishte vizituar ende Shtrausi. Nuk është e vështirë të lexohet dëshira e udhëheqësit komunist për të avancuar në marrëdhëniet me Gjermaninë Federale, por sa më kujdesshëm dhe sa më shumë dinjitet.
Në ditërin e tij, Enver Hoxha shkruan jo pa qëllim:
“Bën përshtypje fakti që të gjithë këta hapa bëhen në një kohë e nga shumë drejtime. Kjo tregon se fuqitë kapitaliste perëndimore kanë diskutuar me njëra-tjetrën për problemet e pazgjidhura me ne, se janë të interesuara që Anglia, Republika Federale e Gjermanisë, bile edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të kenë në Shqipëri përfaqësuesit e tyre diplomatikë, gazetarë e tregtarë për të pasur, si të thuash, edhe ata një gozhdë në vendin tonë.”
Ai nuk ka lejuar që t’i viheshin kushte Shqipërisë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Gjermaninë Perëndimore, apo edhe cilindo shtet tjetër. Ai thotë që përfaqësuesit tanë në bisedime “t’u lënë gjermanëve të kuptojnë se nuk na dhanë ç’na detyrojnë, se ne bëjmë edhe pa pasur marrëdhënie diplomatike me Bonin”. /Përgatiti për botim Xhevdet Shehu
**********
(Vijon nga numri i kaluar)
Por doli një pengesë. Ambasadori gjerman në Vjenë i tha ambasadorit tonë, se qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë pranon takimin, por më parë kërkon nga ana jonë t’i japim një notë ku të deklarojmë se “pranojmë lidhje pa kushte”.
Ne refuzuam çka kërkojnë gjermanët. Tani presim përgjigjen e tyre nga e cila varet zhvillmi i bisedës në fjalë.
Mendojmë se një paraqitje e tillë nga ana jonë është dinjitoze dhe mund të zgjidhë pozitivisht çështjen e reparacioneve.
E HENE 27 QERSHOR 1983
TË PËRCAKTOJMË MIRË TAKTIKËN TONË, NË BISEDIMET POLITIKE ME GJERMANËT
Udhëzime
Sot bisedova përsëri me shokët sekretarë të Komitetit Qendror, si dhe me shokun Hekuran rreth takimit të fundit që ka pasur ambasadori ynë në Vjenë me ambasadorin e Gjermanisë Federale, gjatë të cilit gjermani ka lënë, si të thuash, rrugë të hapët për vazhdimin e bisedimeve. Ai bile ka bërë edhe një sugjerim, që mund të lehtësojë në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura: Pagimin nga ana e RF të Gjermanisë të pensioneve për viktimat e luftës. I thashë Ramizit të studiojë mirë qëllimin e vërtetë të qëndrimit, të fjalëve e të sugjerimit të ambasadorit gjerman, të përgatitemi mirë e të caktojmë edhe ne taktikën tonë për bisedimet që do të vazhdojmë më vonë. Të marrim, gjithashtu, masat e nevojshme për të përgatitur edhe dosjen e viktimave me dokumentacione të marra nga vetë gjermanët. Duhet të përgatitemi mirë se bisedimet me siguri që do të zgjasin dhe nuk duhet të harrojmë se gjermanët nuk janë gati të na japin menjëherë gjithçka që ne do t’u kërkojmë.
Shfaqa edhe këtë mendim: Gjermanoperëndimorët po tregojnë njëfarë afrimi me ne, sepse në këtë mes ka edhe çështje politike me interes të përgjithshëm. Për Shqipërinë s’është e interesuar vetëm Gjermania Federale, por tërë NATO-ja, e cila na quan “të mjeruar”, na qan hallin se “kemi mbetur në mes të rrugëve”, se ekonomia jonë “është përtokë”. etj., etj. Tani ata, me sa duket gjykojnë kështu: “Do ta lëmë Shqipërinë ta marrë rusi, i cili po futet në Jugosllavi me kredinë prej 7 miliardë rublash që i dha? Atëherë, në qoftë se ne (domethënë vendet e NATO-s), Shqipërisë, e cila me kushtetutë ndalon marrjen e kredive, nuk i plotësojmë disa kërkesa, favorizojmë një rrezik për interesat tanë (të tyre). Prandaj Gjermania Perëndimore me siguri ka biseduar me aleatët e saj në NATO dhe ata i kanë thënë ta shikoje këtë çështje deri ku i intereson asaj, ashtu siç bëri rusi që u dha direktivë satelitëve të vet që ta zbusin qëndrimin e të flasin mirë për Shqipërinë.
Paraprakisht mendoj të mbajmë akoma heshtje ndaj sugjerimeve të ambasadorit gjerman, të përgatitemi mirë për bisedimet e ardhshme dhe ta mbajmë rrugën të hapët. Njëkohësisht të mendojmë edhe për gjithçka do ndodhë pasi të vendosen marrëdhëniet diplomatike midis vendeve tona dhe të vijë këtu ambasada gjermane me njerëzit, spiunët e gazetarët e saj.
28 QERSHOR 1983
PËRGJIGJE REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË NË LIDHJE ME VENDOSJEN E LIDHJEVE DIPLOMATIKE ME VENDIN TONË
Shënime
Biseda jonë zhvilluar më parë në mes ambasadorëve tanë dhe ambasadorëve të Bonit në Vjenë. Ne kemi paraqitur pikëpamjet tona për dëshirën e vendosjes së lidhjeve diplomatike, po duke shikuar në të njëjtën kohë edhe problemin e dëmshpërblimeve.
Gjermanët na thanë në mënyrë të thatë se nuk pranojnë asnjë diskutim për dëmet e luftës. Për këtë na u përgjigjën “gjermançe”, po edhe ne u dhamë përgjigje “shqiptarçe”. Dhe kjo punë mbeti në heshtje.
Ndërkohë Ansambli ynë i Këngëve dhe i Valleve Popullore shkoi për një turne në Republikën Federale të Gjermanisë dhe pati shumë sukses. Ne bëjmë me gjermanët edhe shkëmbime tregtare.
Në maj-qershor ambasadori ynë në Vjenë u ftua për darkë nga ambasadori i Bonit. Yni u përgatit dhe shkoi. Ky takim vazhdoi 2 orë.
Ambasadori i Bonit i dorëzoi ambasadorit shqiptar një promemorie, i bëri dhe një muhabet të zgjatur.
Gjermanoperëndimorët duan të lidhin marrëdhënie diplomatike pa kushte nga të dyja anët. Ambasadori i Bonit kërkon që qeveria jonë t’i jepte përgjigje notës së tyre të marsit 1982.
Ambasadori ynë i dha pikëpamjen tonë të njohur, duke u treguar më elastik.
Edhe gjermani po atë gjë bëri, i paraqiti ato “si mendime të tij personale”.
Gjermani tha se përgjigjja e tyre gjoja ishte keqkuptuar nga ne. Formulimit “konciz” që bënë, që “të mos krijonte ndonjë precedencë për problemin e dëmshpërblimeve, pse ekziston marrëveshja e Londrës etj., yni i dha përgjigjen e duhur.
Gjermani në bisedën me gojë që bëri me tonin, i tha këtij se “Boni u ka dhënë pensione çifutëve austriakë, izraelitë etj. Me fjalë të tjera, ai la të kuptonim se për këto çështje mund të bisedohet, pasi të jenë lidhur marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve.
Këtu ka dy gjëra:
- Është gjermani që erdhi te ne pse radhën e kishte yni të shkonte tek ai.
- Ai foli për “pensionet”. Kjo do të thotë se diçka po lëviz nga ana e gjermanëve dhe çdo gjë që mund të bëjnë ata është e shtyrë nga koniunktura politike.
Ne menjëherë mund të mos u përgjigjemi për t’u lënë gjermanëve të kuptojnë se nuk na dhanë ç’na detyrojnë, se ne bëjmë edhe pa pasur marrëdhënie diplomatike me Bonin.
E PREMTE,
4 MAJ 1984
NË BISEDIMET ME GJERMANOPERËNDIMORËT DO TË ECIM PËRPARA NË MBROJTJE TË INTERSAVE TANË KOMBËTARË
Ramizi na informoi sot për bisedimet që bëri në Bon me zyrtarët Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Sofokli Lazri lidhur me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona.
Me sa tha Ramizi, ato kanë shkuar mirë. Gjermanëve iu paraqit me hollësi qëndrimi ynë për këtë çështje, duke e lidhur me pagimin e dëmshpërblimeve. Gjermanët, gjithashtu, kanë paraqitur qëndrimin e tyre. Këta vazhdojnë të ngulin këmbë për të mos paguar dëmshpërblime nën pretekstin se nuk i kanë dhënë asnjë vendi tjetër, gjë që s’është e vërtetë. Por gjatë bisedimeve kanë folur për disa “lehtësi ekonomike” që zbatojnë ata në marrëdhëniet me disa vende e që mund të zbatojnë edhe me ne me qëllime favorizimi.
Në fund të bisedimeve, që në përgjithësi kanë qenë korrekte dhe nga ana e gjermanoperëndimorëve është treguar vëmendje për të dëgjuar pikëpamjen tonë, ata kanë sugjeruar që takimet të vazhdojnë ku të duam e si të duam ne. Bile një sekretar shteti që priti Sofon, kishte sugjeruar të nënshkruhej komunikata për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe në të njëjtën kohë edhe një protokoll ku të thuhej se “pala shqiptare do të vazhdojë ta shtrojë çështjen e pagimit të dëmshpërblimeve, kurse pala gjermane do të vazhdojë të paraqesë qëndrimin e vet për këtë çështje”. Me sa duket, nga gjermanët ka njëfarë gatishmërie për t’u marrëvesh dhe çështja e dëmshpërblimeve të kalohet në ndonjë lëshim ekonomik nga ana e tyre.
Gjatë bisedimeve gjermanët janë interesuar edhe për çështjen e Kosovës, për çështjen e arit tonë të mbajtur nga anglezët dhe për dëshirën që kanë amerikanët për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me ne. Për të gjitha këto çështje kanë marrë përgjigjen e nevojshme mbi qëndrimin tonë.
Bën përshtypje fakti që të gjithë këta hapa bëhen në një kohë e nga shumë drejtime. Kjo tregon se fuqitë kapitaliste perëndimore kanë diskutuar me njëra-tjetrën për problemet e pazgjidhura me ne, se janë të interesuara që Anglia, Republika Federale e Gjermanisë, bile edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të kenë në Shqipëri përfaqësuesit e tyre diplomatikë, gazetarë e tregtarë për të pasur, si të thuash, edhe ata një gozhdë në vendin tonë.
U thashë shokëve që të studiojmë qëndrimin e gjermanëve si dhe propozimet që bëjnë ata në mënyrë të tërthortë, pastaj të vazhdojmë bisedimet, ashtu sikurse kanë propozuar ata vetë. Në këtë çështje gjermanët do të vazhdojnë të bëjnë presione e të paraqesin kërkesa, kurse ne do të ngulim këmbë në qëndrimin tonë dhe do të ecim përpara ne mbrojtje të interesave tanë kombëtarë.
(Vijon)