“Ka halle personale”/ Basha sfidon Berishën për Kuvendin: Jo sa të jem unë në krye të PD

Sali Berisha tha nga “Foltorja” e Beratit se do të njoftojë javën e ardhshme datën e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, me apo pa miratimin e Lulzim Bashës dhe Këshillit Kombëtar të partisë.
“Në javën që vjen do të shpallim datën e mbledhjes së Kuvendit të PD dhe do të mblidhemi të sigurtë me të drejtën tonë për t’i dhënë PD-së normat më demokratike që meriton dhe për të thënë ju me referendum, jo vetëm kryetarin, por edhe Kryeministrin”, tha ai.
Statuti i Partisë Demokratike, sipas Berishës, në një nga pikat e tij përcakton se Kuvendi i jashtëzakonshëm mblidhet kur thirret nga një e katërta e delegatëve të tij. Ai tha se Kuvendi do të përcaktojë edhe nëse kryetari i partisë duhet, apo jo të jetë kryeministër i vendit në rastet kur fiton zgjedhjet.
Por, Lulzim Basha e sfidoi. Ai tha se Sali Berisha nuk ka asnjë tagër për të thirrur Kuvendin Kombëtar të Partisë.
“Ajo që duhet t’ju habisë ju, është se personi që bërtet statuti, i jep vetes kompetenca që nuk i ka. Sali Berisha nuk ka mbifuqi mbi statutin, për të thirrur ndonjë institucion dhe statuti ka të përcaktuar, Berisha mund të thërrasë institucione paralele me qëllim për ta kthyer partinë në bunker për halle personale”, tha Basha.
Kreu i PD përsëriti se “kuvend kombëtar që të marrë në shqyrtim vendimet e qeverisë amerikane nuk ka për të pasur sa të jetë ai në krye të Partisë Demokratike”.