“Parashikoj që të acarohet situata…”/ Ish-kreu i SHISH ‘zbulon’ skenarin e Berishës: Do përplasen me policinë
Ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi paralajmëron protesta të dhunshme nga grupi i Sali Berishës. Duke marrë shkas edhe nga “thirrjet për luftë “ në takimet e ish-kryeministrit, Klosi tha se Berisha po i rikthehet skenarit të vjetër.
Klosi tha në emisionin “Zona Zero “ në Top News se pret një acarim të situatës, ndërsa në të ardhmen nuk përjashton as përplasjet me policinë.
“Sigurisht. Ne kishim thirrjen në Durrës për kapje kallashi. Situata është acaruar. Berisha i ka hyrë me shumë seriozitet që të rrëzojë Lulzim Bashën. Parashikoj që të acarohet situata brenda PD dhe nuk do mbetet brenda PD-së, ça do bëjnë do rrihen brenda oborrit të PD? Do dalin, do përplasen me policinë. Berisha kishte një repart luftarak. Funksiononte me protesta, të dhunshme, jo të zakonshme. U pushtua edhe RTSH dhe parlamenti. Në atë periudhë ishte e vështirë. Nuk parashikoje dot asgjë. Bëhej çdo ditë protestë. Ka patur përplasje të forta. Nuk çuditem nëse ndodhin prapë. Është e rëndë kjo që po bën Berisha”, tha Fatos Klosi.
Gjithsesi, Fatos Klosi tha se beson se Berisha nuk do t’ia dalë të rimarrë drejtimin e PD dhe të destabilizojë vendin. Tashmë ai ka kundër gjithë Perëndimin. /Gazeta SHQIP