PD depoziton në Kuvend amendamentet kushtetuese/ Basha: Vetting politikanëve nga SPAK, rikthim komunave ose “bashkive rurale”

TIRANË – Lulzim Basha ka prezantuar tre propozimet e PD-së për ndryshimet kushtetuese, ndërsa tha para gazetarëve se sapo ka depozituar në Kuvend amendamentet

Amendamentet e PD kanë të bëjnë me  reformën zgjedhore, reformën territoriale dhe vettingun e politikanëve.

Basha propozon që të kthehen komunat apo bashkitë rurale, vetting të politikanëve nga SPAK si dhe reformë zgjedhore.

“Amendamentet kushtetuese kanë të bëjnë me zhbërjen e ndryshimeve të njëanshme të 30 korrikut, të kaluara pa vullnetin e opozitës, dhe depozitimi i kërkesës për komisionin zgjedhor, për të nisur sa më shpejt punën, me qëllim që reforma zgjedhore me të gjithë komponentët e saj të nisë një orë e më parë.

Amendamenti tjetër ka të bëjë me katastrofën e përditshme, që përjetojnë shqiptarët. Në këtë kuadër propozimi ynë është i qartë. Në Kushtetutë ekzistojnë ende komunat, akoma ka një vullnet që e kam prekur në çdo tur, për të pasur pushtetin vendor afër qytetarëve. Të shumtë janë ata që mendojnë se me këtë ndarje kanë asgjësuar çdo shërbim, nuk i përgjigjet kërkesave të qytetarëve.

Kemi paraqitur amendamentin tonë që parashikon bashki urbane dhe rurale, pak rëndësi ka nëse do quhen bashki dhe komuna, rëndësi ka që vendori t’i shërbejë qytetarëve.

Propozimi i tretë ka të bëjë me vetingun e politikanëve. Koncepti i 2018 për ta pastruar Kuvendin nga politikanë që lidhen me krimin, është objektiv edhe sot, por ka një ndryshim themelor. SPAK të fusë në sitë rreth 200 politikanë”, tha Basha./Gazeta SHQIP

Back to top button
LAJMET E FUNDIT